E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: “Berisha të përgjigjet për shpifjet e tij para ligjit”



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka depozituar dje në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për shpifje ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Sipas Ndokës, deklaratat e Berishës se kryetari i Partisë Demokristiane është pronar i një firme ndërtimi me emrin “Nardi Construction” dhe se kjo firmë ka marrë mbi 28 mijë metra katrorë truall ndërtimi, janë një shpifje e ulët e kryeministrit, në vazhdën e përpjekjeve të tij për të dëmtuar PDK-në. “Është e papranueshme që kryeministri, pasi i vodhi votat PDK-së dhe i grabiti mandatin në Shkodër, tani nëpërmjet shpifjeve banale ndaj kryetarit të Partisë Demokristiane kërkon të vjedhë edhe imazhin e PDK-së”, - është shprehur Ndoka. Ai ka bërë të ditur se të gjitha pasuritë e tij i ka të deklaruara në deklaratën e pasurisë të depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në përputhje me ligjin. Kryetari i PDK-së, pas depozitimit të kallëzimit penal, kërkoi nga institucionet e Drejtësisë që të vënë para ligjit kryeministrin për shpifjet e tij banale dhe të turpshme. Sipas tij, Ndokës, në shtetin e së drejtës, edhe kryeministri është i barabartë mes të barabartëve para ligjit.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›