E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: “Ruzhdia, krimi elektoral i vërtetuar”



Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, ka publikuar dje dëshmi që vërtetojnë manipulimin elektoral në fshatin Ruzhdie, në zgjedhjet e 28 qershorit. Dokle deklaroi se PS-ja është e vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e saj demokratik për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve, për mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të votës së lirë. Ai bëri me dije se në Ruzhdie, 94 persona që kurrë nuk kanë pasur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë. Kështu, sipas tij, votuan edhe qindra e qindra të tjerë në Shkodër, Kukës, Kamzë, Elbasan, Durrës etj. Dokle tha se 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti rezultojnë se kanë votuar me kartë identiteti. “Në Ruzhdie, 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që s’kishin ardhur fare në Shqipëri. Kështu ndodhi edhe në Krujë, Paskuqan, Lezhë, Laç, Shijak, Librazhd etj.”, - u shpreh deputeti Dokle. Gjithashtu, ai tha se komisionerët e PD-së dhe manipulues të tjerë të vullnetit të lirë të zgjedhësve falsifikuan 376 firma dhe mbushën kutitë me vota. Sipas tij, kjo ndodhi edhe në Dibër, Mirditë, Bathore, Kavajë, Malësi të Madhe, Devoll etj., duke vjedhur kështu mijëra e mijëra vota. Më tej, deputeti Dokle tha se në Ruzhdie u bënë falsifikime në regjistrat e votimit, që ndryshojnë nga regjistri civil dhe i shpërndanë votuesit e një familjeje në dy, tri, deri në katër qendra votimi. Kështu ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. “Tashmë shqiptarët e dinë mirë çfarë ndodhi më 28 qershor. Më mirë e dinë ata që e menduan, projektuan dhe e zbatuan krimin elektoral, duke filluar me kryeministrin, ministrat, deputetët dhe duke përfunduar me gjithfarë vagabondësh elektoralë”, - u shpreh Dokle, duke shtuar se “nuk do të guxonte kurrë kryetari i Komisionit në Ruzhdie të falsifikonte 32 herë firmat e zgjedhësve po të mos kishte licencën e qeverisë. Prandaj, të gjithë, në një korr, bërtasin dhe nuk pranojnë hapjen e kutive, nuk pranojnë transparencën, shkelin mbi të drejtën dhe lirinë e votës”. Deputeti Dokle theksoi se 18 marsi është shansi i fundit për maxhorancën që t’i hapë rrugë demokracisë europiane në Shqipëri, duke dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hap rrugën e transparencës.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›