E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj kundër Berishës për dekretet e Topit



Eljona Ballhysa

Dekretet e presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë sollën atë që pritej, përçarjen e maxhorancës së djathtë. Kjo është reflektuar gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku përfaqësuesit e Partisë Demokristiane dhe Partisë për të Drejtat e Njeriut dënuan qëndrimin e PD-së për dekretet. Por dhe dy deputetët e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj dhe Spartak Ngjela, janë shprehur kundër PD-së.
Deklarata
Në përfundim të seancës parlamentare ish-ministri i Jashtëm i PD-së, Mustafaj, u shpreh për mediat se qëndrimi që po mban Grupi Parlamentar i Partisë demokratike prish imazhin e Kuvendit. Ai bëri të ditur se është konsultuar me konstitucionalistë dhe me juristë që nuk kanë lidhje me politiken për çështjen e dekreteve dhe, sipas tyre, Mustafaj theksoi se Kuvendi ka të drejtë të shqyrtojë meritat e kandidatëve dhe jo procedurën ligjore të dekretimit të tyre. Mustafaj bëri thirrje që maxhoranca të mos bllokojë procedurat parlamentare, por t’i respektojë ato duke votuar në seancë dekretet e presidentit me votim të fshehtë. “Edhe për imazhin e Parlamentit unë mendoj se tashmë është vonë të merremi me faktin nëse janë bërë ose jo gabime gjatë rrugës për të ardhur deri këtu. Tashmë ne duhet të shohim në mënyrë serioze të kërkojmë daljen nga ky ngërç, nga ky kolaps. Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese unë jam konsultuar edhe më shumë juristë që nuk merren me politikë dhe sipas tyre, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti shqyrton jo vlefshmërinë ligjore të procedurave, por meritat e kandidatit dhe kriteret ligjore që ai përmbush”, - është shprehur Mustafaj, ndërsa ka kërkuar futjen sa më parë për votim të dekreteve të Topit. “Unë mendoj se sa më shpejt të futen në Parlament dekretet e presidentit, të shqyrtohen ashtu siç është e parashikuar në rregulloren e Parlamentit dhe në ligjet e tjera emër për emër, me votim të fshehtë, duke shqyrtuar në mënyrë shumë serioze meritat e kandidatëve”, - ka theksuar Mustafaj. Ai e ka cilësuar nonsens juridik përpjekjen e maxhorancës për të votuar procedurën e ndjekur nga presidenti për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Edhe deputeti i përjashtuar i PD-së, Spartak Ngjela, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare u shpreh se dekretet mund të kthehen mbrapsht vetëm duke u votuar në fshehtësi. Ai tha se konflikti me presidentin është krijuar në momentin që PD-ja dhe PS-ja votuan pa u konsultuar me kreun e shtetit për ndryshimet në Kushtetutë. “Maxhoranca po kërkon të konfliktohet me Presidentin e Republikës. Por Presidenti nuk duhet të konsultohej me ju për dekretet, ashtu sikurse dhe ju nuk u konsultuat me të për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë”, - është shprehur Ngjela.
Aleatët
Edhe aleatët e PD-së mbajtën një qëndrim kundër vendimit të Grupit Parlamentar të partisë më të madhe në pushtet. Përfaqësuesit e Partisë Demokristiane dhe të të Drejtave të Njeriut në Kuvend u shprehën se i gjithë debati që po krijon PD-ja është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Deputeti Spiro Peçi tha se Partia Demokratike po abuzon duke përdorur sipas interesave të saj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Po abuzoni duke përdorur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vetë thelbi i debatit është në kundërshtim me këtë vendim dhe në kundërshtim edhe me Kushtetutën. Dekretet duhet të futen sa më shpejt në rendin e ditës dhe të votohet në fshehtësi për çdonjërin prej tyre”, - është shprehur Peçi. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i radhës i PD-së në lidhje me votimin e dekreteve, nëse do të votojnë raportin e Komisionit të Ligjeve, duke e cilësuar antikushtetuese procedurën e ndjekur nga Topi, apo duke votuar kandidatët e propozuar prej tij.

Opozita kërkesë PD-së: “Sillni impiçment për shkarkimin e Presidentit”

Deputetët e opozitës i kanë kërkuar maxhorancës gjatë seancës së djeshme parlamentare që të sjellë në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Deklarata është bërë nga kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, duke kundërshtuar qëndrimin e maxhorancës për votimin në Kuvend jo të dekreteve të Topit, por të procedurës së dekretimit të ndjekur nga ana e tij. Gjatë fjalës së saj Leskaj kërkoi futjen sa më parë në rendin e ditës votimin e dekreteve të presidentit Topi për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Nëse do të sillni për votim në Kuvend raportin e Komisionit të Ligjeve, bëni mirë të sillni dhe një impiçment për presidentin, meqë mendoni se ai ka shkelur Kushtetutën. Ne nuk mund të qëndrojmë më në sallën e Kuvendit për sa kohë që nuk sillni për votim dekretet e presidentit”, - është shprehur kryetarja e deputetëve socialistë. Pas kësaj deklarate deputetët e PS-së braktisën seancën parlamentare. Ndërkohë që menjëherë pas Leskajt reagoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai e cilësoi absurd qëndrimin e PS-së, ndërsa shtoi se Kuvendi është korrekt me procedurat parlamentare dhe se ka kohë 20 ditë për miratimin e dekreteve. Patozi i kërkoi opozitës të mos lëshojnë ultimatume për maxhorancën. “E shikoj mjaft absurde qëndrimin e opozitës. Opozita nuk mundet kurrsesi t’i japë ultimatume maxhorancës. Duket sikur ju është kthyer në pasion çështja e dekreteve të presidentit. Ne jemi shumë korrektë me procedurat parlamentare, madje kemi edhe 20 ditë kohë për miratimin e tyre”, - është shprehur Patozi. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, u shpreh se komisioni është duke përfunduar raportin mbi dekretet e Topit dhe së shpejti do të paraqiten për votim në seancë. Jozefina Topalli bëri të ditur se dekretet do të votohen brenda 10 ditëve. Në këtë kuadër ka reaguar dhe kreu i PAD-së, Neritan Ceka, i cili u shpreh se rregullorja e Kuvendit ka një boshllëk për mënyrën e procedimit të Kuvendit në një rast të tillë. Ai kërkoi mbledhjen e Këshillit të Rregullores së Kuvendit për të diskutuar për këtë vakuum ligjor që vërehet në këtë dokument të rëndësishëm. Kjo kërkesë e Cekës është mirëpritur dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit në asnjë rast nuk përmendi fjalën raport, por u tregua e kujdesshme duke përdorur fjalën dekrete. Kjo deklaratë e Topallit nënkupton dhe një tërheqje deri diku të maxhorancës nga votimi taktik në Kuvend. Vetëm tri ditë më parë, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve demokratët u shprehën se në seancë do të votojnë procedurën e ndjekur nga presidenti për dekretet, pasi sipas tyre, kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën duke mos u konsultuar me Kuvendin për emrat e dekretuar.

Kërkesa për impiçment nënkupton shkarkim të presidentit

Votimi në Kuvend i raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili e cilëson antikushtetues veprimin e Presidentit të Republikës për dekretimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë nënkupton impiçment. Kjo fjalë vjen nga latinishtja dhe është huazuar nga anglishtja dhe në shqip do të thotë të bësh realitet shkarkimin e presidentit, i cili në të vërtetë nuk është shkarkuar. Në fjalor kjo fjalë përkthehet si pjesë e një procesi legjislativ për shkarkimin e një zyrtari pa vendimmarrjen zyrtare. Pra procesi nuk mund të ngatërrohet me kërkesën për shkarkim të presidentit, pasi kërkesa realizohet sipas procedurave të rregullta. Ndërkohë që impiçment ka të bëjë me rrëzimin e vendimmarrjes së një zyrtari. Në rastin konkret maxhoranca presupozon që presidenti ka shkelur Kushtetutën. Por, në bazë të Kushtetutës, në rast se presidenti e shkel atë, duhet të kërkohet shkarkimi i tij. Por maxhoranca nuk bën kërkesë për shkarkim, por thjesht hedh poshtë një vendim të presidentit, çka nënkupton impiçment.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›