E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi zgjedh Cefën në vend të Spahiut në KLD. PS bojkotoi votimin

TIRANE - Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës kandidaturën e Elvis Cefës për postin vakant në KLD, pas largimit të nënkryetarit Kreshnik Spahiu. Procedura e votimit, për të cilën u ra fillimisht dakord të bëhej në mënyrë të fshehtë dhe më pas u realizua elektronikisht, ka ngjallur reagimin e fortë të opozitës, e cila bojkotoi procesin.

Sipas deputetëve të PS-së, demokratët kanë propozuar që në çdo fletë votimi të vendoset firma e deputetit që voton. Ky propozim u konsiderua i papranueshëm nga deputetët e opozitës, të cilët u larguan nga salla për të zhvilluar një mbledhje urgjente në selinë rozë. Pas mbledhjes, PS pritet të dalë me një qëndrimin zyrtar për votimin e anëtarit të ri të KLD-së.

Ndërkohë, përballë kandidaturës së Elvis Cefës opozita kishte propozuar kandidaturën e Ardian Vishës, për të cilin mazhoranca ishte deklaruar kundër në seancën dëgjimore në komisionin e Ligjeve. 

Anëtari i ri i KLD-së, Elvis Cefa, 39 vjeç, i cili deri dje mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është diplomuar në vitin 1996 në Fakulteti e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1996-2000 ka punuar inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të vijuar më pas me pozicionin e drejtorit të Departamentit Rajonal Tiranë të KLSH-së. Në vitet 2000-2004 ka qënë inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Financiar, pranë Prefektit të Qarkut Tiranë. Nga maj 2004-janar 2005 mbante detyrën e juristit në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa në vitet 2005-2006, atë të juristit në Departamentin Juridik dhe Kontrollit të Cilësisë në KLSH, Tiranë. Në vitet 2006-2009 ka punuar inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave. Në karrierën profesionale të Elvis Cefës përfshihen dhe një numur trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e auditimit në sektorin pubik, për praktikat antikorrupsion etj.

Në punimet e sotme parlamenti u njoh dhe miratoi me 138 vota pro raportin e Këshillit të Rregullores, lidhur me mandatin e lënë të ish-deputetes socialiste, Rudina Seseri. Përmes raportit Këshilli i kërkon Kuvendit të njohë dorëheqjen e kandidatit në listën e PS-së, Gjon Bardhi dhe më pas t'i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për emrin e radhës që do të zërë vendin e ish-deputetes Seseri.

Debate për energjinë elektrike në Kuvend. Ndërsa opozita ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mashtron qytetarët, të cilët po paguajnë sot çmimin dyfish më të lartë, ministri i Ekonomisë Nasip Naço akuzoi deputetët e PS-së se janë të lobuar nga kompania CEZ.

Mandati i Seserit, raporti i Këshillit të Mandateve miratohet në Kuvend 
Kuvendi miratoi në seancën e sotme pranimin e dorëheqjes së Gjon Bardhit nga posti i deputetit. Këshilli i Rregullores Mandateve dhe Imuniteteve iu drejtua Parlamentit me një raport të hartuar nga Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri, i cili bazohet në nenin 71 pika dy e Kushtetutës dhe nenin 164 pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor. Këto nene kanë të bëjnë me raportet mes betimit dhe marrjes së mandatit, si edhe afateve të vendosura në Kod Zgjedhor. 

Këshilli konsideroi se në të dyja këto nene janë të gjitha hapësirat për ta vlerësuar të rrëzuar mandatin e Gjon Bardhit si deputet. Raporti do t’i drejtohet KQZ-së, për t’i dhënë mundësi në këtë mënyrë Edison Konomit të marrë mandatin e 66-të të Partisë Socialiste në Parlament.

Parlamenti ka zgjidhur në këtë mënyrë çështjen e zëvendësimit të Rudina Seserit, pa pasur nevojën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Në Këshillin e Rregullores, gjatë interpretimit të nenit 71 të Kushtetutës, deputetët e majtë dhe të djathtë kanë rënë dakord për faktin se deputeti humbet mandatin në rastin kur ai nuk bën betimin.

Kuvend, debate për energjinë
Debate në Kuvend për energjinë elektrike. Ndërsa opozita ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mashtron qytetarët, të cilët po paguajnë sot çmimin dyfish më të lartë, ministri i Ekonomisë Nasip Naço akuzoi opozitën se janë të lobuar nga kompania CEZ.

“Në 6 vjet Shqipërinë e keni bërë 4 herë superfuqi energjetike, e keni bërë energji bërthamore dhe së fundi kemi gazifikimin e Shqipërisë. Kjo është e njëjta politikë mashtruese që karakterizon Sali Berishën. Në qoftë se në vitin 2005, mesatarja e energjisë elektrike e paguar nga familjarët shqiptarë ka qenë 5.7 lekë, në vitin 2010 mesatarja ka qenë 9.3, dyfishi ia saj që ka paguar në 2005. Ky është mashtrimi i madh.”- deklaroi deputeti socialist Blendi Klosi.

“Para disa muajsh në këtë seancë, METE solli dhe ndryshimet përkatëse në ligjin për sektorin e energjisë elektrike, që do të thotë që nga importimi që ne bënim energji elektrike ëpr të mbajtur bizneset dhe konsumatorët shqiptarë me drita për 24 orë, vetëm nga importimi ne humbisnim rreth 50 milionë euro, të cilat i përfitonte direkt kompania CEZ. Edhe pse u mundova të argumentoja qëllimin e ligjit të sjellë në seancë, përsëri nga këta deputetë të opozitës që sot sillen në rolin e heroit nuk u votua. Në atë seancë kam deklaruar se ai që nuk e votonte këtë ligj ishte i lobuar, tani e them me plot gojën, deputetë të opozitës nuk e miratuat ligjin se keni qenë të lobuar nga kompania CEZ.”- deklaroi në Kuvend ministri Naço.

PS, Kodheli: Siguria e digave në HEC-e, e domosdoshme 
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja socialiste Mimi Kodheli konsideroi në seancë plenare si "të domosdoshëm projektin dhe investimet për sigurinë e digave në HEC-et kryesore në kaskadën e Drinit", ndërsa u shpreh se "sistemi energjetik po degjeneron përditë".
Mes të tjerave, Kodheli u shpreh se "pavarësisht këtyre investimeve, ndërsa qeveria ka shpenzuar shumë para në investime për digat nga përmbytjet, qytetarët e dëmtuar ende nuk i ka paguar". Kodheli deklaroi votën “pro” të opozitës për huanë e BERZH-it për sigurinë e digave.

Projekti "Siguria e digave" përfshin rehabilitimin e pajisjeve të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin, në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës në rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat dhe rehabilitimin e HEC-it të Komanit, rinovimin e pajisjeve elektro-mekanike, zëvendësimin e sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit. Projekti financohet paralelisht nga donatorët e tjerë: SECO-Zvicër, KfW Gjermani, BERZH dhe qeveria shqiptare, e cila paguan koston lokale të tij. 

Tiranë-Elbasan, diskutohet në Kuvend marrëveshja me OPEC
Kuvendi diskutoi sot marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Relatore e këtij p/ligji, deputetja Adriana Gjonaj tha se marrëveshja e kredisë prej 20.4 milionë dollarësh për financimin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, plotëson paketën e financimit për të tre komponentët e rrugës Tiranë-Elbasan.

Ndërtimi i këtij projekti, i cilësuar si prioriteti i qeverisë shqiptare, sipas relatores Gjonaj, llogaritet të ketë një kosto prej rreth 290 milionë dollarësh.
Projekti është bashkëfinancim i tre kreditorëve të huaj, IDB, OFID, Fondi Abu Dhabi-t për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare. I gjithë financimi i huaj i projektit u realizua me kredi zhvillimi me terma të buta, norma të ulëta interesi dhe afate shlyerje shumë të gjata.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Miratohet raporti i Këshillit të Rregullores, Konomi deputeti i ri i PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›