Kuze emëron ekipin anti-Francë

Josip Kuze, të premten ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen e radhës kundër Francës dhe Luksemburgut, të cilat zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Risi në listën e trajnerit kroat është rikthimi në skuadër i sulmuesit Ahmed Januzi, i cili po shkëlqen këtë sezon me ekipin ukrainas Vorskla, në kampionat si dhe në Europa League. Po ashtu, ekipit kuqezi i është rikthyer portieri Orges Shehu, mbrojtësi Franc Veliu dhe mesfushori Ervin Skela, i cili ende është pa skuadër.
Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet të hënën në Durrës, ku të parapara janë dy stërvitje. Kuze të martën ka paraparë një ndeshje kontrolluese me ndonjë ekip nga kampionati shqiptar. Ndërsa dy ditë para takimit, strategu kroat ka paraparë vetëm nga një stërvitje në ditë.
Ndeshja Shqipëri – Francë do të zhvillohet më 2 shtator në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë dhe fillon në orën 21:00. Kurse katër ditë më vonë, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Luksemburgut.
Shqipëria zë vendin e pestë në grup me tetë pikë të tubuara sa ka edhe Rumania një pozitë më lart. Në vendin e parë është Franca me 13 pikë, një më shumë sesa Bjellorusia që është e dyta dhe tri më shumë sesa Bosnja e Hercegovina, që është e treta.
Lista e të ftuarve
Samir Ujkani, Isli Hidi, Orges Shehi, Debatik Curri, Lorik Cana, Armend Dallku,
Franc Veliu, Admir Teli, Kristi Vangjeli, Ansi Agolli, Klodian Duro, Ervin Bulku
Altin Lala, Gilman Lika, Emilian Vila, Ervin Skela, Jahmir Hyka, Gjergj Muzaka
Erjon Bogdani, Hamdi Salihi, Elis Bakaj, Ahmed Januzi, Edmond Kapllani.