Kuze ndihet i pastër

Pas akuzave për përfshirje në kurdisjet e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare, Josip Kuze ka mohuar kategorikisht të ketë pasur lidhje me ndonjë rrjet në Greqi, që merret me kurdisje ndeshjesh dhe aq më pak të ketë trukuar takime të ekipit kuq e zi, në kohën kur ai ishte në krye të kësaj skuadre.
Trajneri aktual i ekipit kinez Tianjin Teda nga Kina i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, që e shohin atë protagonist në kurdisjen e ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi dhe Argjentinës.
“Nuk e kam idenë se për çfarë po flisni, pasi kam disa javë që jam larg zhvillimeve në Evropë. Jam i angazhuar me skuadrën e re këtu në Kinë dhe nuk kam pasur kohë që të informohem”, ka thënë trajneri kroat në një intervistë për ‘Panorama Sport’.
“Më falni për sjelljen time tani, por kjo është vërtet qesharake. E para, për ndeshjen me Argjentinën as që na shkonte ndërmend se mund të merrnim ndonjë rezultat. E dini mirë se shkuam me një skuadër totalisht të re, me lojtarë pa eksperiencë, të cilët vinin nga kampionati shqiptar. Ishte një periudhë pushimesh dhe pjesa më e madhe e lojtarëve të Kombëtares nuk ishin të pranishëm në atë takim. Në këtë kontekst nuk e di se si unë mund të kem trukuar një ndeshje të tillë ndaj një superfuqie në futboll sikundër është Argjentina. Nejse, gjithkush ka mendimin e vet”, vazhdoi ai.
Ai e zuri në gojë edhe ndeshjen me Malin e Zi, ku po ashtu thuhet të ketë pasur gisht.
“Edhe kjo është qesharake, sepse ne e fituam atë ndeshje. Nëse do ta kishim humbur ose do të vërehej ndonjë anomali në lojë nga ana jonë, atëherë unë do të kisha qenë i pari që do shprehja mendimin tim. Por, siç e dini, ne luajtëm me ekipin më të mirë të mundshëm dhe sidomos për fitore. Nga ana tjetër, malazezët erdhën me disa mungesa, por ju siguroj se të paktën ne luajtëm në maksimum për të fituar. Unë doja ta përgatisja sa më mirë skuadrën për ndeshjen e radhës me Francën, ndaj të gjithë lojtarët realizuan detyrat që u pata caktuar”, shtoi ai.
Ai siguron 100 për qind se nuk ka bërë ndonjë marrëveshje me ekipin kundërshtar ose me gjyqtarin për t’i kurdisur ndeshjet. Kuze thotë se nuk ka kurrfarë lidhjeje me Greqinë, prej nga u përgjua edhe zëri i tij duke folur në telefon me grupe ilegale bastesh.
Ish trajneri i Dinamo Zagrebit insiston se problemet e së kaluarës me bixhozin nuk duhet të jenë shkas që ta lakojnë emrin e tij në rrjetin e kurdisjeve. Nga 24 ndeshje sa e ka drejtuar Shqipërinë, thotë se u ndie keq vetëm një herë, pas ndeshjes me Luksemburgun, kur kuqezinjtë kishin humbur papritmas 2:1.
Por, edhe në këtë takim ai siguron se nuk kishte kurdisje. Kuze habitet nga fakti se është përfshirë në këtë rast dhe thotë se është i gatshëm të japë deklaratë, nëse i kërkohet të dëshmojë.
Ndërkohë, në përgjimet e dala nga policia greke përmendet edhe emri i Markos, duke iu referuar djalit të trajnerit Kuze. Marko Kuze është menaxher futbolli, ndaj njihet shumë në ambientet sportive në të gjithë Ballkanin. Ai megjithatë ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me përgjimet dhe kurdisjet për të cilat flitet.
I menjëhershëm ishte reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, pas publikimit të përgjimeve telefonike në mediet greke. FSHF-ja kërkoi të mos hidhej baltë mbi përfaqësuesen kuqezi, për aq kohë sa nuk ka asnjë provë të fortë për të vërtetuar përfshirjen në të tilla afera.