E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Bëra eksperimente me KombëtarenTrajneri i Shqipërisë paralajmëroi për ndryshime të mëdha në ekip

Rrjetet sociale:

Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, zbardhi gjithë enigmën e drejtimit të tij në tri ndeshjet e fundit zyrtare të përfaqësueses shqiptare në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, pikërisht ndaj tri skuadrave që e mbyllën në vendet e para grupin tonë: Danimarkës (barazoi 1-1, në Tiranë), Portugalisë (humbi 1-2, në Tiranë) dhe Suedisë (humbi 4-1, në Suedi).

“I përdora ndeshjet e eliminatorëve të Botërorit për të parë situatën. Mund të them se kam eksperimentuar me skuadrën. Puna ime e vërtetë fillon me eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Federata ishte e qartë kur më punësoi”, - tha gjatë konferencës për shtyp pasuesi i holandezit Ari Han.

Trajneri i Shqipërisë paralajmëroi për ndryshime të mëdha në ekip, duke theksuar se tre ndeshjet zyrtare (bilanci: 1 barazim, 2 humbje) dhe 3 ndeshjet miqësore, duke përfshirë edhe Greuther Fyrth (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) i shërbyen atij për njohjen më të mirë të lojtarëve që ka pasur në dispozicion.

“Dikush më kënaqi me formën e tij, disa të tjerë jo. Do të ketë emra të rinj në skuadër, ndonjë nuk do të jetë më anëtar i ekipit Kombëtar”, - theksoi Kuzhe, i cili nga ana e tij ka investuar jo pak për promovimin e portierit Samir Ujkani dhe mesfushorit Emiljano Vila.

Trajneri kroat pranoi lojën amatore dhe gabimet foshnjarake të lojtarëve në ndeshjen me Suedinë, ku spikati gafa e Armend Dallku në golin e dytë të suedezëve.

Shqipëria e mbylli fushatën kualifikuese në vendin e parafundit në grupin 1 me 7 pikë, duke marrë vetëm 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, në barazimet 0-0 me Maltën dhe 1-1 me Danimarkën.

Ndeshje e ardhshme e Kombëtares është ajo me Estoninë, më 14 nëntor në Talin.

Forum: A është i sinqertë Josip Kuzhe në deklaratat e tij? Diskuto në Albania-sport.com


Numri i klikimeve - 79
  E Premte, 16 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›