Kuzhe: “Dua kundërshtar të fortë për miqësoren e Kombëtares”
Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, ka kërkuar një kundërshtar më të fortë se Luksemburgu për miqësoren e programuar në datën 3 mars. Gjithashtu, kroati i pankinës kuqezi kërkon patjetër që miqësorja e muajit mars të zhvillohet në Tiranë. Pikërisht për shkak të këtyre dy kërkesave është zbehur alternativa e përfaqësueses së Luksemburgut për miqësoren e radhës së Kombëtares shqiptare dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë në diskutime me disa prej përfaqësueseve më të mëdha në kontinent për miqësoren e 3 marsit.
Dy prej alternativave kryesore janë Rusia ose Turqia, ndërsa nuk kanë munguar as ftesat për ekipet e tjera të njohura të rajonit. “Federata po kërkon një kundërshtar të gatshëm që të luajë me Shqipërinë në fushën tonë më datën 3 mars, të përcaktuar nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, pohuan dje burime pranë FSHF-së. “Rusia është një alternativë e mundshme, ashtu sikundër edhe Turqia. Gjithsesi, duhet theksuar se ftesa u janë dërguar të gjitha federatave të rëndësishme në rajon. Për të pasur sa më shumë mundësi zgjedhjeje, në listën e kundërshtarëve janë përfshirë edhe Maqedonia dhe Mali i Zi”, thekson FSHF-ja.
Emri përfundimtar i kundërshtarit për miqësoren e marsit do të vendoset vetëm pas shortit eliminator të Euro 2012. Verdikti i shortit në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, do të jepet më 7 shkurt. Pasi të njohë kundërshtarët e edicionit të ardhshëm, trajneri Kuzhe në bashkëpunim me drejtuesit e federatës, do të përcaktojnë se cili është kundërshtari që vlen më tepër në kuadër të përgatitjeve për fazën kualifikuese.
Favoritja
Rusia mund të jetë kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e 3 marsit, datë kjo e lirë nga FIFA. “UFA Sports, kompania që menaxhon të drejtat televizive jashtë vendit të Kombëtares sonë është duke punuar në këtë drejtim. Kontaktet formale kanë nisur, ndërsa pritet përgjigjja e palës ruse, që tashmë nuk do të drejtohet më nga holandezi Guus Hiddink. Në fakt, fillimisht është folur për një miqësore kundër Luksemburgut modest, por trajnerit Kuzhe nuk i ka pëlqyer shumë kjo gjë. Emri i Rusisë - dështoi për të qenë pjesë e finaleve të Botërorit 2010 – është sugjestionues. Shqipëria është ndeshur dy herë kundër Rusisë në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2004. Trajneri italian Xhuzepe Dosena humbi 4-1 në Volgograd (16 tetor 2002, gol i Klodian Duros), ndërkohë që gjermani Hans-Peter Briegel fitoi 3-1 në Shkodër (29 mars 2003, golat nga Altin Rraklli, Altin Lala dhe Igli Tare). Miqësorja e fundit zyrtare e Shqipërisë është ajo kundër Estonisë ku barazuam pa gola në “Le Coq Arena”.
Rezultatet e miqësoreve, të parëndësishme
Gjatë grumbullimit tradicional në Antalia të Turqisë, trajneri Josip Kuzhe thirri disa nga lojtarët më të mirë që aktivizohen me skuadra të ndryshme të Superligës shqiptare, por gjithsesi në përballjet me skuadrat turke, futbollistët nuk arritën të shfaqin vlerat e tyre, të paktën me rezultatet që ata morën: një barazim 2-2 me Sitsporin e Kategorisë së Katërt dhe një humbje 2-1 me Adanasporin e Kategorisë së Dytë, çka mund të nënkuptojë se dhe niveli i kampionatit tonë (i 65-ti në botë) është shumë poshtë atij turk (i 10-ti në planet). Trajneri Kuzhe iu shmang pyetjes duke dhënë një përgjigje diplomatike. “Shikoni, unë nuk mund të them se rezultati i atyre ndeshjeve ishte i rëndësishëm, por mund të theksoj edhe se rezultati është gjithmonë i rëndësishëm. Nuk dua të dredhoj në këtë gjë apo të bëj diçka të tillë. Gjithsesi, unë i kam harruar ato menjëherë. Kur i kam analizuar të dyja ndeshjet, pjesa e parë kundër Adanasporit (humbëm 2-0, i gjithë takimi shkoi 2-1) ishte e tmerrshme. Lojtarët nuk u lidhën mirë. Ishte një ndeshje kundër një top-ekipi, me të vërtetë kështu. Kundër një ekipi të mirë, të organizuar. Mund të them, se nëse do të luanim pas shtatë ditësh ne do të fitonim me lehtësi ndaj këtij ekipi (Adanasporit). Gjithsesi, në Antalia ne nuk ishim një ekip, dhe unë nuk e pashë si të tillë. Në Antalia programi ishte individual për çdo lojtar, në lidhje me përqendrimin, stërvitjen. Rezultati nuk ishte i rëndësishëm për mua, por ndoshta për ju (gazetarët), se si të vinit sot përballë meje e të më bënit pyetje. Ok, ne barazuam dhe humbëm, por në të vërtetë unë nuk i kujtoj rezultatet. Isha i fokusuar vetëm në lojën e lojtarëve individualë, pasi dëshiroj të marr lojtarë nga ky grup në ekipin e parë.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2010