E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, 115 fituesit e fundit në Tiranë

Autori i Lajmit: Redaksia
Universiteti i Tiranës ka shpallur listat e fituesve të fundit në Fakultetin Juridik, Shkencat Sociale dhe atë Ekonomik. Në Fakultetin Juridik janë shpallur 18 vende të lira, në atë të Shkencave Sociale 4 vende të lira ndërsa përsa i përket Fakultetit të Ekonomisë, janë në total 86 kuota të parealizuara për fakultet të parë dhe shtatë për fakultet të dytë. Për këtë fakultet, të gjithë aplikantët e interesuar duhet të paraqiten në sekretarinë e part-time, për më shumë informacion si dhe për të bërë regjistrimin e nevojshëm. Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim është; Dëftesë pjekurie e shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi e fituar jashtë vendit, e vlerësuar si e barasvlefshme me të: Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë); në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës me 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh. Pas përfundimit të procesit të rishpërndarjes së kuotave të mbetura bosh për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme, pritet një tjetër rishpërndarje, në rast se do të ketë shumë vende të mbetura bosh. Burime nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik thonë se nuk përjashtohet mundësia e një rishpërndarjeje tjetër. Megjithatë, në këtë rast, detajet do të publikohet në ditët në vazhdim, edhe pse viti akademik për këta studentë ka rreth 1 muaj që ka filluar. Ndërkohë, studentët janë detyruar që të paguajnë tarifën e shkollimit, pasi fakultetet ku ata bënin mësim, u kanë dhënë afate që në rast se shkeleshin, mund të shoqërohen me sanksione, si përjashtim nga shkolla. Ata që nuk kanë pasur mundësi që ta paguajnë janë ndëshkuar tashmë, pasi u ishte tërhequr vëmendja kohë më parë për të kryer pagesën e tarifës vjetore të shkollimit.

Emrat i gjeni në gazetën Ballkan

Njohja e diplomave
Shkurtohen afatet e njohjes së studimeve

Procedurat e njohjes së diplomave apo titujve të tjerë të studimit të fituara jashtë vendit nuk do të zgjasin për muaj të tërë. Me ndryshimet e bëra së fundi në udhëzimin e ekuivalentimit të diplomave dhe certifikatave të fituara jashtë vendit, konfirmohet se kjo procedurë mund të mbyllet rreth 45 ditë që nga koha e aplikimit. Sipas rregullores, aplikimi duhet të dërgohet me postë në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Arsimit. Në një afat kohor prej tri ditësh, Sektori i Njohjes së Diplomave (SENJOD) duhet të informojë aplikantin për mbërritjen dhe plotësinë e dosjes. Për rastet kur dosja paraqet probleme për shkak të mungesës së dokumenteve që kërkohen nga komisioni i verifikimit, kërkesa kthehet për përmbushjen e kritereve të kërkuara. Ndërkohë aplikimi për njohjen e diplomave të ndryshme të të njëjtit individ, të lëshuara nga i njëjti institucion, konsiderohet si një dhe për të paguhet një tarifë. Tarifa për procedurat e njohjes është 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë. Bazë e vlerësimit të programit dhe kursit të kryer janë lëndët/modulet e programit, numri total i krediteve të fituara, vitet e studimit, kualifikimet që përcaktohen nga kuadri ligjor i vendit të origjinës, krahasuar me kuadrin vendas rregullues. Në rastet e mosnjohjes së kursit të studimeve dhe kualifikimit të fituar brenda 5 (pesë) ditësh nga përfundimi të procedurës për njohje, kryetari i komisionit njofton me shkrim aplikantin për mosnjohjen dhe arsyet përkatëse. Gjithashtu, kandidati ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim te ministri i Arsimit dhe i Shkencës, ku duhet ti kthehet përgjigje brenda 30 ditëve që nga data e paraqitjes së ankesës. Në përfundim të procedurës, aplikantit i lëshohet një dëshmi njohjeje, ku përfshihen vitet e studimit, profili i diplomës së bashku me drejtime sekondare të kryera.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›