Pacini, në sulmin e Juves së re Benitez ose Alegri për stolin
Ndryshimet
Klubi bardhezi po punon për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm
Projekti “reforma te Juventusi” ka si pikë orientimi idenë nga e cila filloi puna dy vjet më parë: ndërthurja e të rinjve me yjet e skuadrës, për të ndërtuar një mozaik që bashkon kualitetin, eksperiencën dhe të ardhmen. Synimi është që ky projekt t’i besohet një trajneri me personalitet dhe të ardhme (ashtu si skuadra): Masimiliano Alegri është emri më i përfolur në ambientet e klubit bardhezi, për shkak të lojës së bukur që Kaljari i tij praktikon, por edhe për aftësitë e mira të teknikut. Këtu nuk duhet harruar ëndrra Benitez, megjithatë pengesat që do të transferonin spanjollin në kampionatin italian janë të mëdha. Negociatat fillestare me menaxherët e drejtuesit e stolit të Liverpulit kanë nxjerrë disa probleme, mbi të cilat drejtuesit e Juves do të punojnë për t’i zgjidhur. Alegri cilësohet si një alternativë në nivelin e Benitez, edhe pse dy trajnerët janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.
Ndryshimi më i rëndësishëm është ai i repartit sulmues. Emri i parë nga ku do të lindë skuadra e ardhshme bardhezi është Xhampaolo Pacini: për të interesohen edhe çelsi, Man. Siti e Totenham, por lojtari ka shprehur dëshirën të luajë në Serinë A. Bisedimet ndërmjet Juventusit dhe Sampdorias kanë filluar dhe pritet të perfeksionohen në muajt e ardhshëm. Torinezët kanë avantazhin që në ofertën për Pacinin, i cili vlerësohet të paktën 18 milionë euro, përveç parave të ofrojnë edhe emra si De çelje, Lancafame, Paoluçi, Xhovinko, Mirante, Ekdal apo Zalajeta. Sulmues të tjerë që pëlqehen nga bardhezinjtë janë edhe Edinson Kavani i Palermos dhe Xhuzepe Rosi i Vijarealit. Për mesfushën, përveç hapjes së negociatave me Udinezen për D’Agostinon, “Zonja e Vjetër” do të studiojë edhe dy pista jashtë Italisë: emri i parë është ai i lojtarit të Bajernit të Mynihut, Bastian Shvajnshtajger, me të cilin kanë ekzistuar kontakte në të kaluarën, ndërsa alternativa quhet Ibrahim Afellai, që militon në Holandë me PSV Eind’hoven. Revolucioni ende nuk ka filluar, por strategjitë që klubi do të ndjekë janë të qarta.
#