E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet drejtuesja e mjetit, aksidentoi të moshuarën



Elbasan - Policia e Elbasanit ka arrestuar dje drejtuesen e një mjeti, pasi është identifikuar si autore i një aksidenti me pasojë plagosjen e një 70-vjeçareje. Burime të policisë lokale bënë të ditur për gazetën se “Albana Balla, drejtuese e mjetit tip ‘Fiat Punto’, me targë BJ 802 JV, ka aksidentuar një ditë më parë kalimtaren e moshuar Maqe Buzo, lindur e banuese në lagjen ‘Partizani’ në Elbasan”. Aktualisht 70-vjeçarja ndodhet e shtruar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën. Drejtuesja e mjetit u arrestua pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Aksidenti në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, plagoset motoçiklisti

Shkodër - Një aksident i ndodhur dje rreth orës 06:00, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur “Bahçallëk”, Shkodër, ka bërë që drejtuesi i një motoçiklete tip “Lifan” pa targa, të plagoset rëndë. Xhevahir K., 28 vjeç, lindur e banues ne fshatin Barbullush të Shkodrës, si rezultat i humbjes së kontrollit, është përplasur me tirantin mbajtës të shtyllës telefonike. Sipas burimeve policore, i aksidentuari është dërguar menjëherë në Spitalin rajonal Shkodër, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në këtë spital, është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” Tiranë, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë L. K., 32 vjeçe, lindur e banuese po në fshatin Barbullush, e cila udhëtonte si pasagjere me motoçikletën e lartpërmendur, nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura procedurale dhe hetimore, si dhe materialet ne ngarkim të Xhevahir K. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai do të gjykohet në gjendje të lirë për veprën penale të “drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie”.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›