Kuzhe: Ja shqiptarët që do ndeshen me Kosovën
TIRANE-Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka publikuar dje listën me 18 futbollistë që do të udhëtojnë nesër drejt Prishtinës, për një ndeshje miqësore ndaj Kosovës. Sfida do të luhet në kuadër të 2 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe tekniku kroat ka dashur të respektojë ditën e shënuar për popullin kosovar dhe atë shqiptar. Në ekip janë thirrur pa më të voglin dyshim futbollistët më të mirë të kampionatit, ndërkohë që edhe klubet nuk kanë hapur asnjë problem për këtë. Elis Bakaj, Emiljano Vila, Gjergji Muzaka, Andi Lila, Iljon Lika apo Jetmir Sefa do të udhëtojnë me ekipin kombëtar drejt Kosovës. Por, veç kësaj, Kuzhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë ndeshje për të ndjekur nga afër edhe disa futbollistë të veçantë. Kështu, ai ka thirrur nga Iraklisi i Selanikut Hamels Hoxhën, një lojtar që për herë të parë do të jetë pjesë e përfaqësueses. Sa u përket yjeve të tjerë të ekipit kombëtar, të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, ka qenë e pamundur që ata të përfshihen në skuadër për shkak se nuk bëhet fjalë për një datë të lirë për zhvillimin e miqësores. Atmosfera Kosovë-Shqipëri do të jetë një ndeshje simbolike, megjithatë në Prishtinë duket se ka një interesim të jashtëzakonshëm për këtë sfidë. Kështu, nga mediat kosovare është mësuar dje se në treg janë nxjerrë afro 20 mijë bileta, që do të thotë se shqiptarët e Kosovës janë shumë të interesuar për të parë kombëtaren kuqezi në stadiumin e tyre. Në këto ditë të ftohta shkurti, atmosfera në stadium pritet të jetë vërtetë e ngrohtë, ashtu siç ndodhi një vit më parë. Më 17 shkurt 2009, në Kosovë udhëtoi skuadra e Dinamos, e cila ishte kampionia në fuqi e Shqipërisë. (d.b/BalkanWeb)