E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Topi pret sot Ramën e Berishën, ne takime vec e vec

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi pritet t’u paraqesë sot propozime konkrete për zgjidhjen e krizës politike, kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi dje se, dita e sotme do të jetë sërish një ditë negociatash me dy kryetarët e partive kryesore në vend. Fillimisht në orën 10:00, Presidenti Topi do të presë në zyrën e tij dy ambasadorët, atë të Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe atë të Spanjës, Manuel Montobio. Pas dy orësh, në varësi të bisedimeve me ndërkombëtarët, ai do të presë në zyrë, fillimisht kryetarin e opozitës, Edi Rama, rreth orës 12:00. Ndërsa, një orë më pas do të presë kryeministrin Sali Berisha. Burimet bëjnë të ditur se kreu i shtetit, ashtu edhe siç u la, pas takimit të 13 shkurtit ka menduar të propozojë një zgjidhje. Por, kjo është mbajtur shumë sekret për median- shkruan sot GSH. Nuk dihet nëse kjo zgjidhje do të përfshijë ndoshta një hapje të pjesshme të kutive të votimit, ashtu siç është një variant i diskutuar edhe në tryezën e dy ditëve më parë të aleatëve të opozitës. Ekziston edhe një variant tjetër që qarkullon nga e djathta, sipas të cilit mund të hapen disa kuti votimi të zonave që s’kanë lidhje me ato që janë kontestuar në gjykata, për vetë faktin se ato që janë ankimuar e kanë marrë përgjigjen nga gjykata. Gjithsesi, kjo është vetëm ajo çfarë flitet jozyrtarisht. Gjatë dy ditëve të pushimit, Presidenti i Republikës ka diskutuar dhe ka menduar që tashmë t’u paraqesë rrugën dy liderëve të politikës, për të arritur një marrëveshje politike këtë javë. Në daljet publike, edhe Rama, edhe Berisha nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre të mëparshme. Kryeministri e theksoi edhe dje disa herë, se nuk do të shkelë mbi vendimet e gjykatave. Edhe Edi Rama e konfirmoi qëndrimin e tij, se nuk tërhiqet nga hapja e kutive të votimit. Opozita nuk pranon gjithashtu që negociatat të zgjaten pambarimisht, duke e kaluar çështjen në diskutimet e grupit të ekspertëve. Tryeza e së shtunës që shkoi nuk solli ndonjë rezultat konkret, edhe pse nga palët u quajt si progres dhe hap pozitiv. Pas takimeve të ditës së sotme do të shihet nëse ekziston mundësia që të ketë një tjetër tryezë mes Berishës dhe Ramës, apo gjithçka do të dështojë dhe opozita do të rinisë protestat në rrugë. Burimet nga Presidenca bënë të ditur dje në mbrëmje, se Topi deri në momentin e fundit është në kërkim të asaj zgjidhjeje që t’i japë fund krizës sa më shpejt. Në fillim të javës që vjen, në 22 shkurt, do të vijë në Tiranë një delegacion i nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›