E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentja e Infermierisë kapet me armë në konvikt

 

Etleva Delia

Një automatik tip "Kallashnikov" është zbuluar nga policia në dhomën e një studenteje të Fakultetit të Infermierisë në Tiranë. Arma është gjetur poshtë krevatit në dhomën e 20-vjeçares nga Fushë-Kruja, Ediona Rinçi, studente e vitit të dytë.  Menjëherë është kryer arrestimi i vajzës, e cila më pas ka treguar "pronarët" e vërtetë të automatikut që ajo mbante në dhomën e konviktit, te rruga e Dibrës në kryeqytet. Vetëm disa orë më pas efektivat e Komisariatit Nr.4 të kryeqytetit kanë arrestuar edhe dy personat, të cilët dyshohet se i kanë dhënë armën studentes 20-vjeçare për ta fshehur në dhomë. Sipas burimeve nga policia, ata janë Erkens Zeneli, 23-vjeç, nga Lushnja dhe Aleksandër Lezo, 23 vjeç, nga Erseka. Arma e gjetur në konviktin e vajzave të Mjekësisë dhe Infermierisë është dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës, në Ministrinë e Brendshme, ku do të kryhet ekzaminimi balistik. Sipas burimeve, ekspertiza e armës do të kryhet pasi dyshohet se mund të jetë përdorur për ndonjë krim. Ndërkohë, përveç automatikut, në dhomën e studentes Ediona Rinçi janë sekuestruar edhe 28 fishekë të armës.
ZBULIMI I ARMES
Pas një informacioni operativ që Komisariati Nr.4 ka marrë nga një person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka marrë masa për verifikimin e të dhënave që jepte telefonuesi. Sipas burimeve nga policia, mësohet se telefonata është kryer nga konvikti i vajzave të Fakultetit të Mjekësisë dhe Infermierisë dhe flitej se një studente mbante një armë në dhomë. Menjëherë ka nisur një aksion i efektivave të Policisë së Tiranës, të cilët kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në disa nga dhomat ku dyshohej se ishte e fshehur arma. Pas disa minutash është zbuluar një automatik tip "Kallashnikov" me numër 029586 dhe një krehër më 28 fishekë, të fshehura poshtë krevatit të studentes së vitit të dytë të Infermierisë, Ediona Rinçi. Vajza është arrestuar në flagrancë, për mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Ndërkohë mësohet se gjatë deklarimeve të saj, para oficerëve të policisë, vajza ka deklaruar se armën ia kishin dhënë dy miq të saj prej më shumë se 6 muajsh. Ata i kishin kërkuar 20-vjeçares nga Fushë-Kruja që ta mbante të fshehur automatikun, pasi mund t'iu duhej ndonjë ditë. Pas këtij informacioni, policia ka nisur verifikimin e adresave të dy djemve 23-vjeçarë, të cilët dyshohet se janë pronarët e armës. Menjëherë më pas ka ardhur arrestimi i Erkens Zenelit dhe Aleksandër Lezos, njëri nga Lushnja dhe tjetri nga Erseka. Gjatë dëshmisë së tyre, dy djemtë nuk e kanë pranuar që arma ishte e tyre, duke u munduar të përgënjeshtronin deklarimet e studentes, madje duke mohuar edhe miqësinë me të, ashtu siç pretendonte ajo. Oficerët e policisë kanë pyetur edhe shoqet e dhomës së studentes, të cilat kanë deklaruar se nuk kishin asnjë dijeni se në dhomën e tyre ndodhej ndonjë armë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se automatiku është dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës, për kryerjen e ekspertizës balistike, ndërkohë që 3 të rinjtë e arrestuar pritet që të njihen me masën e sigurisë në gjykatë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›