E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe i ikur, zyrtarizimi pas ndeshjes me Rumaninë

TIRANE- Fjalët kanë qarkulluar që pas humbjes me Luksemburgun, por tashmë gjithçka duket reale: Josip Kuzhe nuk do të jetë më trajner i Shqipërisë pas ditës së martë, kur do të jetë ndeshja me rumunët. Një lajm i tillë është pohuar nga burime të besueshme nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas të cilave, cikli i teknikut kroat është mbyllur, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në takimin me Rumaninë. Nën drejtimin e tij, kombëtarja kuqezi nuk ka bërë asnjë hap përpara edhe pse Kuzhe pati fatin ta drejtonte atë në një kohë ndryshimesh dhe kur shumë lojtarë ishin në perëndim të karrierës. Por, largimi i tij tashmë mund të quhet i kryer, për mosarritje objektivash. Në këtë vendim të presidentit të Federatës Armand Duka, që ka të drejtën ekskluzive për caktimin e trajnerit të kombëtares, duket se ka ndikuar sidomos humbja me Luksemburgun një muaj më parë. Fitimi i asaj ndeshjeje do të bënte që Shqipëria të ishte në valle për vendin e katërt në grup, por gjithçka shkoi në mënyrën më të keqe.

Vetë Kuzhe nuk pranoi të bënte komente për këtë pas ndeshjes me Francën, duke u shprehur se "nuk është momenti". Por, gjithçka duket e vendosur nga Duka. Nën zë, një gjë të tillë e kanë pohuar edhe lojtarët, ndërsa vetë tekniku është parë i qetë dhe me mendjen tek ndeshja e radhës. Burime pranë FSHF kanë bërë të ditur se largimi i trajnerit kroat do të bëhet që javën e ardhshme, në mënyrë që t'i hapet rruga gjetjes së teknikut të ri. Kjo, pasi në muajin nëntor Shqipëria ka në plan të luajë dy ndeshje miqësore dhe në krye të skuadrës duhet të jetë trajneri tjetër, i cili do të shohë nga afër gjendjen e futbollistëve. Josip Kuzhe e mori drejtimin e Shqipërisë në vitin 2009, vetëm një muaj pas largimit të trajnerit Ari Han.

Ai u bë shumë shpejt shumë i dashur për shqiptarët për shkak të seriozitetit në punë, ndërsa ndryshe nga paraardhësit e tij, vendosi të banonte në Tiranë, për të qenë më pranë futbollit dhe mentalitetit shqiptar. Nën drejtimin e tij kombëtarja njohu shumë uljengritje, ndërsa kulmi ishte fitorja 1-0 me Bjellorusinë në muajin mars të këtij viti. Sidoqoftë, në fund të eliminatoreve, Kuzhe nuk bëri dot më mirë, duke mos e çuar Shqipërinë më lart se vendi i pestë në grup. Realisht, objektivi i edicionit nuk u arrit, pasi ai ishte vendi i katërt dhe lënia pas e dy skuadrave.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›