E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 13 kg hashash në doganën e Kakavijës

GJIROKASTER- Bllokohen 13 kg mari juanë në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, ndërsa përfundon në pranga një 25- vjeçar nga Fieri. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së premtes.

Mësohet se forcat e sektorit të Antidrogës kishin marrë informacione të sakta për kalimin e një sasie lënde narkotike nëpërmjet kësaj dogane, ndaj kanë ushtruar kontroll në të gjithë autobusët e linjës ndërkombëtare Shqipëri-Greqi. Gjatë kontrollit, blutë kanë gjetur në një nga autobusët e linjës Fier-Greqi një sasi prej 13 kg drogë, e cila i përkiste të riut Erjon Trifoni nga qyteti i Fierit, emigrant prej vitesh në Athinë.

Ndërsa i janë vënë prangat, poseduesi i lëndës narkotike ka mundur të shkruajë një sms me destinacion një numër shqiptar, ku lajmëronte një person se e kapën në Kakavijë bashkë me mallin që po transportonte për në vendin fqinj. Autori i krimit, i cili akuzohet për "trafik të lëndëve narkotike" është dërguar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Policia dhe Prokuroria po hetojnë mbi lidhje të mundshme të 25- vjeçarit me rrjetin e drogës. Burimet e mësipërme sqarojnë se materialet për ngjarjen e ndodhur në pikën kufitare të Kakavijës i janë përcjellë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›