E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ceremonia mortore e Ramiz Alisë, distancohet politika

TIRANE- Ish-udhëheqësi i fundit i regjimit komunist dhe ish-presidenti i parë pluralist pas viteve ‘90, Ramiz Alia do të përcillet sot për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës. Nga ora 10:00-11:00, Protokolli i Shtetit ka vendosur që homazhet të bëhen në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.

Pavarësisht debatit mbi rolin e tij në shumë ngjarje të kohës së diktaturës dhe të fillimeve të pluralizmit, duket në një farë mënyrë, Ramiz Alisë do t’i rezervohet një trajtim prej ish-presidenti. Ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë parashikon katër tipe ceremonish funebër: ceremoni shtetërore, më e larta, ceremoni zyrtare, ceremoni ushtarake dhe ceremoni zyrtare ose ushtarake jo të plota.

Për ish-drejtuesit kryesorë të shtetit si Ramiz Alia, dhe një sërë kategorish të tjera, parashikohet niveli i dytë, ceremoni zyrtare. Në këtë rast ceremonia e homazheve organizohet me lejen e familjes dhe hapet edhe një libër ngushëllimesh. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i ekskortuar vetëm nga patrulla policore. Kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtëna me armë.

Nuk duhet se çfarë pjesëmarrjeje do të ketë nga zyrtarët e lartë, por duket se qeveria e ka paralajmëruar qëndrimin e saj, pasi gazeta e Partisë Demokratike, shkruante me gërma të mëdha në faqen e parë se “vdiq dikatori i fundit komunist, njeri i masakrave në kufi dhe Masakrës së Tivarit në Luftën e Dytë Botërore”.

Ndërkohë, politika ka hezituar të shprehet publikisht me ngushëllime për ngjarjen, ndërkohë që kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka qenë për të ngushëlluar në shtëpinë e ish-presidentit. Nga ana tjetër, kryeministria me anë të një deklarate për shtyp njoftoi dje se “të dielën ora 11:30, kryeministri Berisha merr pjesë në inagurimin e dy segmenteve rrugorë në Korçë, rruga Lapidari–Koritë dhe rruga Koritë– Liqenas. Vendi i inagurimit në fshatin Zvezdë”.

Ish-udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia u shua në moshën 86-vjeçare, mëngjesin e datës 7 tetor, si pasojë e disa sëmundjeve kronike. Vonesat për varrimin e Ramiz Alisë u kushtëzuan nga ardhja e dy fëmijëve të tij që jetojnë jashtë shtetit.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›