Kuzhe i kënaqur: Pashë talente në Superligë
Leonard KarajTrajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe ka bërë skanerin e javës së zborit kuqezi në Antalia. Në konferencën për shtyp binte në sy optimizmi gati i tepruar i kroatit të pankinës shqiptare. Një Kuzhe, i kënaqur nga skuadra që pati në dispozicion. Trajneri ka bërë një ekspoze të zborit në Turqi duke evidentuar më së shumti disa talente sipas tij që mund t’i shërbejnë për ndeshjet kualifikuese të EURO 2012. “Jemi në prag të ndeshjeve eliminatore të Evropianit dhe detyra ime tani është të përzgjedh. Ky grumbullim them se më shërbeu shumë, pasi për 7 ditë pata kontakt nga afër dhe kam ide të qarta për këta lojtarë. Në Turqi ne kishim futbollistë që janë pjesë e kombëtares si Vila, Bakaj apo Lila, por veç tyre, futbollistë si Bala, Shkurtaj, Roshi apo Veliaj, ishin një surprizë e këndshme për mua. Për momentin ne kemi 60-70 % të ekipit dhe na duhen disa nga këta lojtarë të rinj për ta plotësuar atë. Por, unë duhet të besoj 100 për qind tek futbollistët që do të thërras dhe në Turqi pati nga ata që lanë edhe një përshtypje negative” theksoi Kuzhe. Më tej, trajneri i kombëtares e konsideroi Shqipërinë një kombëtare të mbushur me talente në futboll, por sipas tij ata rriten në kushte të vështira. I pyetur në lidhje me rezultatet zhgënjyese të arritura ndaj skuadrave inferiore turke, në dy miqësoret e zhvilluara, trajneri Kuzhe mori përsipër përgjegjësitë, por sipas tij, këto rezultate nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe. “Zhvilluam dy ndeshje miqësore në Turqi. Njërën e barazuam 2-2, ndërsa tjetrën e humbën 2-1. Kuptohet, në futboll, edhe në ndeshje të këtij lloji, rezultati është përherë i rëndësishëm, por në Antalia nuk ishim një skuadër, por vetëm disa elementë të spikatur në kampionatin shqiptar. Vëmendja ime kryesore ishte tek paraqitja individuale e secilit lojtar dhe jo tek rezultati. Shpresoj shumë që në muajt e ardhshëm, disa nga këta të rinj të talentuar të ikin e të luajnë jashtë Shqipërisë, sepse vetëm atje do të bëhen 100 për qind profesionistë”, tha Josip Kuzhe. Pas zborit 1-javor të zhvilluar në Turqi, trajneri Kuzhe do të jetë për disa ditë në Greqi, ku do të ndjekë nga afër një grumbullim të të rinjve shqiptarë, që luajnë në këtë vend, dhe që shpesh janë larguar për shkak të indiferencës së strukturave të federatës apo drejtuesve të kombëtareve të moshave. Skepticizmi ndaj trajnerëve të U-17, U19 dhe U-21, ashtu si përfolja e tyre për pazare e matrapazllëqe me prindërit e lojtarëve që grumbullojnë me fanellën kuqezi, duket se ka mbërritur edhe ne veshët e kroatit Josip Kuzhe. I cili kërkon t’i prekë vetë me dorë gjërat, t’i seleksionojë vetë lojtarët e talentuar, që luajnë jashtë.