E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia maqedonase tërheq nga shitja enciklopedinë antishqiptare



Blerina Olldashi
Pas kritikave nga ana e analistëve dhe e politikanëve shqiptarë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë ka tërhequr nga shitja Enciklopedinë maqedonase dhe në një afat sa më të shkurtët kohor do të korrigjojë pjesët kontestuese. Këto pjesë kanë të bëjnë me raportet dhe lidhjet mes maqedonasve dhe shqiptarëve, për shqiptarët e Maqedonisë, Ali Ahmetin, Nënën Terezë, UÇK-në dhe luftën në Maqedoni. Kryesia e Akademisë detyron redaksinë që përmirësimet e apostrofuara t’i bëjë në bashkëpunim me akademikët shqiptarë dhe shkencëtarët e tjerë të bashkësive etnike jo shumicë. Ky ishte konkluzioni kryesor i mbledhjes së kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryesia e Akademisë do të thërrasë edhe një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit në të cilin do të vendoset për përgjegjësinë e anëtarëve të redaksisë të kryesuar me Bllazhe Ristevskin. “Kryesia e ASHAM-it shfaqi shqetësimin e thellë për faktin se Enciklopedia e parë maqedonase shkaktoi reagime dhe debate të ashpra dhe të padëshiruara, që u bënë shkas për tensione të reja ndëretnike në Maqedoni, si dhe shkas për një sërë pakënaqësish, animozitete dhe reagime. Kryesia e ASHAM-it distancohet dhe shfaq brengosjen për pasaktësinë eventuale dhe të paqëllimshme të përmbajtjes së botimit të parë promovues të Enciklopedisë maqedonase dhe e bind opinionin maqedonas dhe ndërkombëtar se të njëjtat do të korrigjohen, pa bërë me këtë rast ndonjë rishikim të fakteve historike dhe pa irrituar emocionet kolektive të bashkësive që janë pjesë e Maqedonisë moderne”,- thuhet në komunikatën e Akademisë. Kryesia e saj vlerëson se Akademia si institucion i lartë shkencor në Maqedoni në asnjë moment nuk ka qenë antishqiptar dhe as që ka pretenduar ksenofobi në raport me bashkësitë etnike në Maqedoni. Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve i hedh poshtë përpjekjet e pashembullta për delegjitimimin e saj si institucion i lartë shkencor dhe shpreh keqardhjen për formulimet jo përkatëse që disa autorë të teksteve kanë shprehur ndaj ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Akademia ka shprehur gjithashtu gatishmërinë që përmes dialogut shkencor me të gjithë shkencëtarët në Maqedoni të trajtojë të gjitha problematikat e caktuara si dhe të gjitha çështjet e tjera për të cilat ekziston interes shkencor. Që nga publikimi dy javë më parë, Enciklopedia shkaktoi reagime të mëdha, madje dhe politike, për shkak të përshkrimit me epitete ofenduese të shqiptarëve dhe shtrembërimit të historisë, por edhe për shkak të politizimit të saj dhe reagimeve ndërkombëtare që shkaktoi tek fqinjët e Maqedonisë, por edhe tek SHBA dhe Britania e Madhe.

Ivanov përshëndet tërheqjen e enciklopedisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov përshndeti tërheqjen e enciklopedisë për korrigjim nga ana e Akademisë së Shkencave dhe me këtë rast u bëri thirrje qytetarëve ta tregojnë me vepra traditën e bashkëjetesës, toleracës dhe respektit. “Secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta në një shoqëri demokratike. Politikanët në politikë dhe shkencëtarët në shkencë. Edhe të parët edhe të dytët mbajnë përgjegjësi para opinionit”,- u shpreh Ivanov. Shkenca, sipas tij duhet të bazohet te faktet dhe të mos hyjë në marrëveshjet e politikës së ditës. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të distancohen nga këto veprime dhe të tregojnë se ekziston tradita e bashkëjetesës me respekt dhe tolerancë. Me këtë rast, presidenti maqedonas përshendeti edhe deklaratën e kryeministit Gruevski dhe liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›