Kuzhe kthehet për sfidat europiane
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, të mërkurën do të ndërpresë pushimet e verës për të rifilluar punën. Kroati pritet të kthehet në Shqipëri për të vëzhguar nga afër sfidat ndërkombëtare. Në fakt, më 9 korrik, Dinamo dhe Vllaznia do të luajnë ndeshjet e kthimit kundër Lahtit dhe Sligo Rovers, të vlefshme për turin e parë eliminator të Europa League. Ende nuk është përcaktuar nëse Kuzhe do të ndjekë përballjen e bluve të Muçës në stadiumin "Qemal Stafa", apo do të udhëtojë drejt Shkodrës, aty ku Vllaznia e ndjen veten me një këmbë në turin e dytë, ku do të ketë si kundërshtar austriakët e Rapidit të Vjenës. Nëpërmjet këtyre vëzhgimeve, drejtuesi i stolit kuqezi synon të gjejë të tjerë elementë për të rinovuar Kombëtaren, por mbi të gjitha do të kontrollojë formën e atyre lojtarëve që janë pjesë e ekipit.