E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, Ançeloti i kërkon të gjithë

Pasi ka siguruar një buxhet thuajse të pakufizuar, flitet për afro 200 milionë euro, Karlo Ançeloti ka hartuar një listë të gjatë me futbollistët që dëshiron të ketë në dispozicion. Vetëm pak orë pas emërimit te Çelsi, trajneri italian paraqiti objektivat për merkaton e verës: Pato dhe Pirlo nga Milani, Adebajor nga Arsenali, Ksabi Alonso nga Liverpuli dhe Glen Xhonson nga Portsmuthi. Nuk kishte si të mungonte Klarens Sedorf, një prej lojtarëve "besnikë" të teknikut në "San Siro", e ndoshta edhe braziliani Kaka. Sipas të gjitha gjasave, skuadra e Ançelotit do të "lindë" nga mesfusha. Ai kërkon me patjetër që të afrojë në "Stemford Brixh" një lojtar që të vendosë rregull në këtë repart dhe mjaft të rafinuar në përdorimin e topit. Kandidatët për rolin e organizatorit janë dy. Preferenca është Andrea Pirlo, "zbulimi" i tij, të cilin Milani mund ta lejojë të largohet për të ulur shpenzimet nga rrogat. Lojtari i Kombëtares italiane pëlqehet edhe nga Leonardo, por trajneri i ri i kuqezinjve sqaroi se kërkon një skuadër të shpejtë dhe agresive. Dy karakteristika që nuk i përshtaten stilit të Pirlos. Gjithsesi, blerja e mesfushorit nuk është e lehtë dhe për këtë arsye, alternativa e Çelsit quhet Ksabi Alonso. Të gjitha të dhënat flasin për spanjollin: vitin e kaluar Liverpuli kërkoi ta shiste dhe mund të mos bëjë shumë rezistencë, e njeh mirë Premiershipin, ka shumë eksperiencë, luan mirë me topin dhe është taktikisht perfekt. Sapo të sistemojë mesin e fushës, Ançeloti do të mendojë për sulmin. Në krye të listës është Aleksandre Pato, lojtar që pëlqehet edhe nga Abramoviç. Sipas mediave angleze, drejtuesi i bluve të Londrës ka ofruar rreth 35 milionë euro (30 milionë sterlina) për brazilianin. Gjithsesi, kjo shifër duket se nuk e kënaq Milanin dhe alternativa është lojtari i Arsenalit, Emanuel Adebajor. Kartoni i tij kushton afërsisht sa ai i Patos, por duket e vështirë që Arsenali të përforcojë një rivale direkte. Cilido nga këta dy sulmues do të krijonte një repart të jashtëzakonshëm ofensiv përkrah Drogbasë. Objektiv tjetër i rëndësishëm është Glen Xhonson, i cili është i gatshëm të kthehet te Çelsi. Edhe objektivat e tjerë nuk shihen si të pamundur. "Grepat" do të hidhen te Milani: Sedorf do të siguronte klas në mesfushë, por do të shërbejë edhe si pikë referimi në dhomat e zhveshjes, ndërsa Kaka mbetet ëndrra e vjetër e anglezëve. Braziliani këmbëngul se do të qëndrojë në "San Siro", ndërkohë që konkurrenca e Realit të Florentino Perez është mjaft e fortë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›