Prof. Josif Papagjoni zbulon 60 vitet e Moikom Zeqos
Me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit, publicistit dhe historianit Moikom Zeqo, studiuesi dhe kritiku i artit, prof. dr. Josif Papagjoni ka botuar një libër të veçantë, inagurimi i të cilit është bërë pikërisht dje, më tre qershor. Në vend që të bëjmë një biografi për Moikom Zeqon po botojmë si vijon më tej, një pjesë të shkëputur nga libri i prof. Papagjonit kushtuar Zeqos: -Jam i lodhur, - më thotë burri që kam përballë, teksa gjerbim të dy nga pakëz verë në qefin tonë, - s’e kam më ritmin e njëhershëm, as kënaqësinë.
-Prandaj shkruan çdo dy-tre ditë esse në gazeta, herë një e herë dy faqe? - e ngacmoj unë - 70 libra i ke bërë gjer tani, sa do të bësh akoma?
Dhe ndjej se si afshi i verës ka hyrë tinëz në mugun pa formë e cak të trurit tim. E di se kjo shfryrje e burrit përball s’është veçse një kthinë dëshpërimi hapur diku thellë në ndërdijen e tij, aty ku të çpon syri shpotitës i absurdit dhe nis të tallet me ty tepria e filozofimit, kjo lëngatë e sektit tonë prej “librangrënësish”. -S’rri dot pa shkruar, më është bërë sëmundje, flamë, kolerë, - i gjegjet cazë me vonesë ai shpotisë sime pa të keq. Dhe bën një gjest të shpenguar si prej aktori, përshkon gishtat nëpër flokë, buzëqesh dhe shton si pabëzaj:
-Edhe kur të mbyll sytë, besomë, më duket sikur do të shkruaj. Ore, ankthi i të shkruarit është si ai bishti prishamendës i djallit mbi tokë. Pse s’e shkrova dhe këtë, dhe atë, dhe atë tjetrën? Ja, s’po e mbaroj dot Buzukun, as Skënderbeun…
-Mbarove “Miscellanea 5”... Gjithë poezinë e përmblodhe në 5 vëllime të trasha.
-Oh, poezi kam shumë. Kam shkruar të tjera…
-Mos u bëj maniak.
-Jo, maniak s’jam, por s’rri dot pa shkruar… pa botuar… s’jam i qetë… Kur shkruaj më duket sikur qetësohem. Jam vetvetja. Jetoj. Po, po, jetoj… Ti e di vetë, se je kritik… Eh, kam nevojë të bisedojë me dikë, më kupton? Ai s’është, por unë e shoh. Dhe grindem, humbas… Bëhem “fir”, thotë Poradeci. Bah! Sa figurë e bukur, ë? Mrekulli! Bëhem “fir”...
-Për Lazgushin po flet apo për vete?
-Për vete, sigurisht… Ore, e lexove romanin e fundit të Saramagos? Po Koech-in?... Nobelin këtë vit e fitoi Pamuku, shkrimtar i madh turk… O zot, ç‘farë libri gjigand që është “Unë jam e kuqja”. Sa bukur i përplas qytetërimet, artin, religjionin!... Dhe burri sikur harron, e lë Lazgushin tonë me pejzazhet e lij liqerore, i lë dhe të mëdhenjtë e letrave të shekullit dhe rikthehet tek kupa e helmit të vet. E pi sërish atë kupë… -Pëf!... E more vesh? Zhak Derrida vdiq dje… Shkrova një ese për të… Ka një fytyrë të gjerë, të zeshkët, me një lëkurë disi të trashë, si të pjekur nga kripa e detit, por të ushqyer mirë dhe të lidhur fort pas mishit. Ajo që të bie në sy, janë qeskat e rënduara nga leximi, më parë të mavijosura, si me gjak të mpiksur, tanimë në një ngjyrë kafe të errët, thuajse të nxira. Shumë kanë bredhur ata sy nëpër hordhitë e gërmave plot maja, gërxhe, gunga, gropa, qafa, dredhje e spërdredhje! Ajo pjesë e butë e mishit nën sy, si e squllur dhe e lëshuar, paqtohet me kockën mbi mollëzat e kërcyera dhe duket se fle paqësisht aty. Ose dremit. Ose… Mbi sytë dhe qepallat pis të zeza, hapet një ball, që duket sikur garron me kafkën thuajse trikëndore, duke i dhënë asaj (sikundër thuhet nga antropologët) volumin e nevojshëm për të mbajtur një sasi trunore, sigurisht mbinormale. Modeli trapezoidal, ku balli i gjerë dhe kafka e hapur lart, që mbyllen poshtë me mjekrën paksa të dalë, të rrumbullt, si të shtyrë para dhe të ngjeshur, duket se vërteton një vullnet të fortë për punë, këmbëngulje, neps pafund për realizimin me çdo kusht të synimeve të caktuara. Ky është, pak a shumë, portreti i njeriut që bisedoj e me të cilin së toku pimë nga pakëz verë e çukisim pjatat me peshq të majmë e të shijshëm: ai levrekët e tij të preferuar, të pjekur në zgarë, unë barbunin tim të skuqur fort…
-E kam kokën rrëmujë… - vazhdon të shfryjë burri. -Dua të kap diçka, qoftë dhe të projektoj një libër të ri a ku di unë çfarë, por s’mundem… Dreqi ta hajë, vijnë e ikin imazhe, figura, personazhe, ide; gremisen teposhtë, thyhen, harrohen, zhduken. Dua t’i kap, t’i mbaj, por sa ç‘mbahet ëndrra e mëngjesit nga vërshimi i dritës dhe zhurmat, aq i mbaj edhe unë ato. Më vdesin në mendje, në duar. M’u prish gjendja. Jam rrëmujë, më kupton: as poshtë as lart. Jam i papunë. S’përqëndrohem dot. Hedh tri gjëra në letër, më vijnë tridhjetë të tjera. Dhe plas nga inati që, të gjitha, ashtu kot, veç ikin, ikin, si ata zogjtë e trembur. Kohë e humbur… Dhe ai merr frymë thellë, si mbi një varr. Qeskat e syve lëvizin nën atë makjazh stërmundimi, ndërsa qepallat varen teposhtë dhe thuajse mbyllen. Diçka nga serialet e portreteve “Fytyra e shenjtë” të Gazmend Lekës më sjellin ndërmend ato…
-Bah!... S’rri dot pa punë, kështu! Kjo është marrëzi - gati nxehet me veten ai. - Mos qesh! Po flas seriozisht. Do që ta vrasësh tjetrin, lëre pa punë!...
-Ti në punë je. Edhe tani. Shkruan, boton. A s’janë punë librat që ke botuar?
-Ti e di ç‘dua të them.
-Nga detyra e drejtorit të Muzeut Kombëtar do të ikje një ditë...
-Veç jo të më hidhnin në rrugë, ama. Kjo më fyen.
-Poçen e qenit pas bishtit s’e ke ti. Le ta tundin dhe ta shkundin ata që të hoqën. Ti je shkrimtar, studiues…
Dhe e godas lehtë në shpatulla...
4 Qershor 2009