E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: “Bëjmë gjithmonë ndeshje të mëdha kundër të mëdhenjve”

Fantazisti: “Të shtunën gjithë bashkë mund të arrijmë një rezultat pozitiv”. “Barazimi me Portugalinë ishte historik, sikurse fitorja me Greqinë”

Dash Frashëri

Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ka grumbulluar 6 pikë po aq sa Portugalia e Suedia, por që kanë ndeshje më pak se ne, ndodhet në vendin e pestë në Grupin 1, duke lënë pas vetëm Maltën.
Gjithsesi, është Portugalia ajo që vjen në Tiranë nën presion të jashtëzakonshëm, qoftë për kujtimet e hidhura nga takimi i parë në Braga (0-0), por dhe me urgjencën e tri pikëve për të shpresuar më pas në kualifikimin për në Botëror. Dhe këtë e pranon edhe Ervin Skela, i cili pritet t’u hapë jo pak punë portugezeve në takimin kundër tyre në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ballafaqimi i pestë historik kundër Kombëtares portugeze.
Në intervistat e tij të para, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, theksoi se përveç Erjon Bogdanit, kishte stërvitur për pak kohë edhe Ervin Skelën. “E njoh Kuzhen prej shumë kohësh, është një trajner shumë i mirë, - tha 32-vjeçari Skela, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në rezidencën e Kombëtares në hotel “Dyrrah”. “Në këto 2-3 ditë që unë jam këtu shoh që atmosfera ka ndryshuar në Kombëtare. Ka sjellë një frymë të re në seancat stërvitore. Futbollistët janë më të motivuar. Ai (Kuzhe) kërkon të formojë grupin, në mënyrë që ai të arrijë të formojë skuadrën që do të ndeshet kundër Portualisë”, - shtoi Skela, që u ribashkua me Kombëtaren pas dy humbjeve të skuadrës së tij, Energi Kotbus në play-out me Nurembergun për një vend në Bundesligën e parë gjermane për sezonin e ardhshëm. Trajneri Kuzhe gjatë seancave stërvitore ka vendosur theksin mbi lojën ofensive për të përballuar një kundërshtar agresiv si Portugalia e Kristiano Ronaldos, Nanit, Dekos. “Nuk ka nevojë për shumë debat, apo për të dhënë shumë mendime. Portugalia është një kundërshtar i fortë dhe na pret pa dyshim një ndeshje e vështirë, por shpresoj së të shtunën do të mundohemi të japim më të mirën tonë, gjë që e bëjmë gjithmonë përballë ekipeve të mëdha. Barazimi me Portugalinë ishte një ngjarje historike, sikurse fitorja me Greqinë në “Qemal Stafa”. Pra janë ngjarje që s’kanë për t’u harruar kurrë”, - theksoi Skela, që pas ndeshjeve me Portugalinë e Gjeorgjinë, i duhet të gjejë një sistemim të ri në Bundesligën gjermane.

Ervin, trajneri Kuzhe e ka përmendur faktin se ju ka stërvitur, Sa mund të ndikojë trajneri në ndeshjen kundër Portugalisë?
Kuzhen e njoh prej kohësh si trajner, pasi kemi qenë të njëjtën skuadër në kategorinë e dytë te Kemnitcer. Shpresojmë që të shtunën të shpalosim atë futboll që dëshiron Kuzhe. Kuptohet do të na duhet një punë e madhe dhe një kohë e gjatë për transmetuar të gjitha idetë e tij.

Si e vlerësoni kundërshtarin më të frikëshëm në këto eliminatore?
Për ndeshjen me Portugalinë mund të them se nuk ka qenë shumë i nevojshme debati apo mendimet për këtë kundërshtar, pasi dihet emri i Portugalisë. Shpresojmë që të shtunën të zhvillojmë një ndeshje të madhe, siç kemi bërë shpesh ndaj ekipeve me emër. Me ndihmën edhe të publikut kam besim se do të arrijmë rezultat pozitiv.

Skela një fund sezoni i hidhur me Energi Kotbusin në Gjermani. Si e përjetuat?
Mbylla një sezon me Kotbusin që na ka lënë shumë të zhgënjyer. Sidomos në dy ndeshjet shtesë me Nurenbergun kemi zhgënjyer më shumë, sepse humbëm ndaj një skuadre të kategorisë së dytë.

Si është kondicioni juaj fizik?
Personalisht kam kaluar një formë shumë të mirë dhe e ndiej veten të fortë fizikisht. Por të mos harrojmë, do të luajmë ndaj Portugalisë, një kundërshtar shumë i vështirë për ne. Të gjithë bashkë mund të arrijmë një rezultat pozitiv, kurse vetëm kuptohet edhe nëse je në formë të shkëlqyer, nuk mund të arrish gjë.

Portugalia luan shumë mirë në sulm. Çfarë loje mund të presim nga ana e Shqipërisë?
Trajneri e ka thënë mendimin e tij për mënyrën se si do të luajmë ndaj Portugalisë. Kuptohet do të luajmë shumë edhe në mbrojtje, por duhet të sakrifikojmë të gjithë edhe kur të kemi mundësi për të sulmuar. Kjo mënyrë loje kërkon impenjimin e të gjithë lojtarëve, që nga sulmuesit e deri te mbrojtësit.

Në ndeshjen në Bragë rezistuam edhe pse me dhjetë veta. Sa ndikon ky rezultat?
Në ndeshjen e Bragës kemi luajtur për shumë minuta me 10 lojtarë dhe po ta kujtojmë atë ndeshje kuptojmë që futbollistët kanë sakrifikuar shumë në prapavijë. Por në shtëpinë tonë nuk mund të mendojmë vetëm sit ë mbrohemi. Do të kërkojmë shfrytëzimin e kundërsulmeve, për t’i vënë në vështirësi mbrojtësit e Portugalisë, pse jo edhe të shënojmë.

E ardhmja

Energi Kotbusi, skuadra që zotëron edhe kartonin e Ervin Skelës ka rënë në Bundesligën 2. “Unë e kam bërë të qartë edhe më parë se kam nënshkruar kontratë me Kotbusin vetëm nëse kjo skuadër luan në Bundesligë. Tani që ka rënë nga Bundesliga, kontrata ime ka mbaruar. Kam pasur oferta nga skuadra të ndryshme, por duhet t’i shqyrtoj me kujdes. Gjithçka varet nga ana financiare e ofertës. Kontrata e ardhshme mund të jetë e fundit e karrierës sime. Edhe dy-tre vjet dhe i them lamtumirë futbollit”, - tha Skela.

Të rinjtë

Në kombëtare janë një grup lojtarësh të rinj, ndërkohë që dhe trajneri Josip Kuzhe e ka bërë të qartë se do të formatojë skuadrën pas ndeshjeve të mbetura nga këto eliminatore. “
Kam dëgjuar fjalë shumë të mirë për Elis Bakajn, për aftësitë e tij. Po ashtu edhe për Vilën. Gjergji Muzakën e kam në krah. Këta janë e ardhmja e ekipit kombëtar, por duhet ta kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo fanellë. Këta lojtarë duhet të mendojnë shumë kombëtaren kuqezi kur vjen e shtuna apo e mërkura.

Dy rekordet e Ervinit

Ervin Skela me 61 ndeshje ndërkombëtare është “kryeplaku” i Kombëtares në “mega-listën” prej 26 emrash të hartuar nga trajneri Josip Kuzhe për dy ndeshjet e parë ndërkombëtare të tij në stolin e Kombëtares, ato kundër Portugalisë (zyrtare, 6 qershor) e Gjeorgjisë (miqësore, 10 qershor). Fantazisti vlonjat mban edhe një rekord të “vockël” brenda grupit të këtyre lojtarëve: me 10 gola të shënuar (i fundit në miqësoren kundër Arzerbajxhant, 1-1) është dhe lojtari që ka shënuar më shumë me fanellën kuqezezë. Gjithsesi, në këtë tregues me 14 gola Alban Bushi vazhdon të mbetet rekordmeni absolut në Shqipëri, i ndjekur nga Altin Rraklli e Igli Tare (të dy me nga 11 gola).

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›