E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqtë kujtojnë skenografin dhe piktorin Shaban Hysa



Dje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar në kryeqytet është zhvilluar një aktivitet në përkujtim të mjeshtrit të skenës, piktorit e skenografit Shaban Hysa, i cili u nda nga jeta më 28 gusht të vitit 2005. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin miq, familjarë, shokë e kolegë të artistit, të cilët kujtuan jetën dhe veprën që mjeshtri Shaban Hysa la pas. Pas liceut artistik në Tiranë, Hysa u diplomua si piktor – skenograf në Akademinë e Arteve të Bukura të Varshavës. Me kthimin në Shqipëri ai do të punojë pranë Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Operas e Baletit, për të punuar gjithashtu, edhe si pedagog në Akademinë e Arteve, po në Tiranë. Aktiviteti i tij krijues shtrihet në të gjitha gjinitë e skenografisë dhe të pikturës. Shaban Hysës nuk i mungojnë çmimet dhe pjesëmarrja dinjitoze në ekspozita kombëtare. Ai numëron mbi 50 skenografi në Teatrin Kombëtar, ndër të cilat “Romeo e Zhulieta”, “Prometeu”, “Valsi i Titanikut”, “Vdekja e Dantonit”, “Rikardi III”, “Besa”, “Oportunesku”, “Tiranozauri”, “Gjethja”, “Streha e të harruarve”, etj.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›