Festivali, dy botët muzikore takohen në Kalanë e Gjirokastrës
“Takimet Muzikore të dy Botëve” titullohet festivali që synon të sjellë një frymë të re jo vetëm në morinë e Festivaleve, por edhe sa i takon frymës së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të artistëve të njohur shqiptarë dhe atyre botërorë. Është zgjedhur pikërisht për t’u zhvilluar në Gjirokastër, një qytet i futur në listën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, në mënyrë promovimin e trashëgimisë kuluturore të Shqipërisë. Edicioni i këtij viti do të mbahet në datat 5-6 në qytetin e Gjirokastrës dhe më tej në datën 7 qershor në Tiranë. Organizatorja e Festivalit Ilda Mara thotë se “Festivali u nis si një dëshirë për të promovuar artin dhe si mjet në këtë rast shërben muzika, që lidh vendet.” Ajo tregon më tej mbi suprizat e edicionit të sivjetshëm; vjen kuarteti rus Atrium, e më tej koncerti i korit polifonik të konservatorit të Janinës, koncerti i quartetit të Europës Juglindore Celissimo (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Vojvodinë), koncerti i grupit polifonik Ergjeria (Shqipëri), pianistët Julia Amada Kruger nga SHBA dhe Viktor Buni nga Rusia, si dhe këngëtarja kosovare Alma Bektashi, e cila do të këndojë muzikë jazz si dhe disa këngë qytetare të së madhes Nexhmije Pagarusha. “Është pikërisht ky grupim artistësh që vjen duke sjellë përveç muzikës edhe atë frymë bashkëveprimi mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë” – shton organizatorja e festivalit. Një pikë interesante e programit, në bashkepunim me organizatën ndërkombëtare Helsinky Citizens Assembly, dhe Courrier des Balkans të Francës është zhvillimi i një tavoline të rrumbullaket me të rinj nga rajoni nën logon “Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Europën Juglindore”. Festivali “Takimet muzikore të dy botëve” do të shërbejë në dy ditët e zhvillimit të tij në Gjirokastër edhe për t’i dhënë gjallëri, larmi e interes jetës kulturore të qytetit të gurtë. Organizata “Argjiro”, që mundëson zhvillimin e këtij festivali është themeluar në korrik të vitit 2006 në Paris, si një iniciativë e Ilda Mares dhe një grupi gazetarësh, artistësh e studiuesish francezë e shqiptarë. Kjo organizatë ka për qëllim të
ndihmojmë në rritjen e shkëmbimeve kulturore të Shqipërisë në Europë e më gjerë, në shërbim të vlerave kulturore, intelektuale, artistike, historike e njerëzore. Festivali synon po kështu, t’i japë një hov jetës kulturore e artistike të Gjirokastrës dhe të forcojë kontaktet e artistëve shqiptarë me homologët e huaj.
Në bordin ndërkombëtar të nderit të kësaj organizate janë emra si Ismail Kadare, Tedi Papavrami, Genc Ruli, Lutfi Haziri, Nedim Gursel, Patrick Uajsman, Eliza Hoxha, Princi Joachim Murat, Princi Nicolas Petrovitch, Luan Mulliqi etj. Shoqata “Argjiro” ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në Gjirokastër të cilat i përkasin sa muzikës, me koncerte gala e festivale të veçanta ndërkombëtare, aq edhe skenës dhe aktrimit, kujtojmë këtu shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, bazuar mbi veprën me të njëjtin titull të Kadaresë, që u realizua nga një trupë aktorësh francezë në Kalanë e Gjirokastrës.
Petrika GROSI
4 Qershor 2009