Reali, 2.5 milionë euro për të luajtur në Tiranë
Reali i Madridit do të përfitojë 2.5 milionë euro për të luajtur në Tiranë ndeshjen miqësore me Gramozin e Ersekës, skuadrën modeste të Superligës e që për momentin ndodhet në vendin e fundit të Kategorisë Superiore, një shumë më e madhe se ajo që është paguar në dy ardhjet e Milanit në Tiranë (1.5 milionë euro për një miqësore). Lajmi është dhënë nga agjencia e lajmeve spanjolle, EFE, që nga ana e saj i referohet shtypit iberik, por edhe thekson faktin se shifra e bujshme nuk është konfirmuar deri tani nga shtypi shqiptar. Ndeshja e luksit e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut “Taçi Oil” do të luhet, më 20 janar 2010 në orën 17:00 në impiantin ndërkombëtar kryeqytetas, “Qemal Stafa”. Lajmi i ardhjes për herë të parë të Realit të Madridit në Shqipëri, i skuadrës “mbretërore” 30 herë kampione të Spanjës dhe 9 herë fituese të Ligës së Kampioneve, ka bërë bujë të madhe në mediat spanjolle, e që po i kushtojnë vazhdimisht vëmendje duke dhënë detaje të ndryshme. Gazeta më popullore sportive në Spanjë, “Marca”, thekson faktin se Reali i Kristiano Ronaldos dhe Kakasë (ky i fundit ka ardhur në Shqipëri në përbërje të Milanit) është ftuar nga një prej biznesmenëve më të mëdhenj në vend dhe manjati i naftës, Rezart Taçi, babai i të cilit është presidenti i Gramozit të Ersekës. “Marca” citon zëdhënësin e kompanisë “Taçi Oil”, Milton Nushi: “Kontrata është firmosur dhe gjithashtu dhe lista e lojtarëve që do të vijnë për ndeshjen e datës 20. Nuk do të ketë asnjë mungesë, Ekipi do të jetë i plotë, përfshirë edhe presidentin Florentin Perez. Në fakt, ndeshja ishte paraplanifikuar për tu luajtur gjatë Krishtlindjeve, në dhjetorin e vitit të kaluar, por angazhimet e Realit e bënë të pamundur ardhjen në Tiranë. Skuadra e Realit të Madridit do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10 të paradites së 20 janarit, ndërkohë që besohet se do të pritet me entuziazëm në areoportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gramozi do të përforcohet edhe me lojtarë nga kampionati shqiptar, kryesisht nga Tirana e Besa. Gjithsesi, media spanjolle nuk lë pa përmendur edhe faktin se milioneri i ri shqiptar 38-vjeçar, i apasionuar pas futbollit italian befasoi botën sportive vitin e kaluar teksa tentoi të blinte ekipet e Bolonjës dhe Milanit, këtë të fundit në shumën e 700 milionë eurove, por dhe faktin e agresionit ndaj gazetarit Mero Baze, 15 ditët e tij në dhomën e paraburgimit dhe shumën e paguar prej 100 mijë eurosh për lirimin me kusht. Pas klubit italian të Milanit, që erdhi dy herë në Tiranë, tetor 2008 (humbi me Tiranën, 2-1) dhe maj 2009 (fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren), Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri. Kështu, në Tiranë do të vijnë yje si Kaka (erdhi edhe me Milanin), Kristiano Ronaldo, Raul Gonzales, Iker Kazijas etj.
2010, Erjon Bogdani e nis me humbje
Sulmuesi shqiptar i Kievos, Erjon Bogdani, ishte i pafat në përballjen e parë të vitit 2010, kur skuadra e tij humbi në shtëpi 0-1 me kryesuesit e kampionatit italian, Interin (gol i Mario Balotelit në minutën e 12-të, pas një asist të holandezit Shnajder). Bogdani e nisi ndeshjen si titullar dhe në minutën e 19-të pati një rast të mirë, por në momentin e fundit u bllokua nga interisti Kordoba. Bogu dha disa topa të bukur për shokët e tij të skuadrës. Në minutën e 61-të Erioni u zëvendësua nga Abruskato.
K.Ronaldo, më popullori në Facebook
Kristiano Ronaldo është sportisti më popullor në Facebook. Ylli i Realit të Madridit, njëherësh dhe lojtari më i shtrenjtë në botë, numëron gati 3.2 milionë tifozë në rrjetin më të famshëm në internet. Portugezi ndiqet nga tenisti zviceran Roxher Federer (3.18 milionë) dhe notarit amerikan Majkëll Felps (2.86 milionë). Sipas gazetës së përditshme spanjolle “Marca”, presidenti amerikan Barak Obama është personaliteti më popullor në Facebook, me më shumë se 7 milionë fansa.
Disiplina, 48 orë afat Skënderbeut
Klubi i Skënderbeut ka afat 48 orë (8 janar) për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj kapitenit Bledi Shkëmbi dhe mesfushorit Genti Gjondeda, madje këtij të fundit edhe shpenzimet e strehimit. Ky është vendimi i Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Vetëm pas plotësimit të këtij afatit, me skadim datën 8 janar 2010, Komisioni i Disiplinës do të mblidhet për të rishqyrtuar çështjen në fjalë. Dy futbollistët ishin ankuar zyrtarisht pranë FSHF-së për mospagimin e tyre. Shkëmbi kërkohet nga Besa, ndërkohë që Gjondeda ka arritur një paramarëveshje me Kastriotin.
MERKATO
SKËNDEBBEU
Sulmuesi bullgari Petar Shopov do të testohet te Skënderbeu, përpara se trajneri Gerti Haxhiu të jap miratimin e tij për cilësitë e 31-vjeçarit. Nga skuadra korçarë duket se janë larguar përfundimisht katër kroatët Tomasiç, Djarmati, Rukavina dhe Guerrib (6 gola këtë sezon). Nga ana tjetër, kapiteni Bledi Shkëmbi ka paditur klubin në Federatën Shqiptare të Futbollit për zgjidhjen e kontratës për shkak të mos plotësimit të kushteve financiare. Edhe Elton Lika e Genti Gjondeda kanë bërë të njëjtën gjë.
APOLONIA
Mesfushori serb Bojan Miniç (20 vjeç, ish-Bilisht Sport) dhe sulmuesi shqiptar Miguel Cvarku (21 vjeç, ish-Bilisht Sport) janë duke u testuar me Apoloninë e Fierit. Në provë te skuadra e Hasan Likës është edhe tiranasi Xhunej Çutra (21 vjeç) i ardhur nga Sllovenia. Mesfushori Rushani dhe mbrojtësi Spaho janë dy rikthimet te Apolonia, ndërkohë që janë larguar Arbër Capa, Erion Hoti, si dhe boshnjakët Edin Feruzoviç e Semir Haxhibuliç.
VLLAZNIA
Mbrojtësi Amarlido Belisha (28 vjeç, 15 ndeshje këtë sezon me Flamurtarin) nënshkroi me Vllazninë, klub edhe ku është formuar si futbollist. Belisha më parë ka luajtur edhe me Besën e Kavajës. Vllaznia ka nënshkruar edhe me mbrojtësin Elvis Kraja (ish-Skënderbeu). Mbrojtësi Ardit Beqiri nuk është më pjesë e Vllaznisë. Ish-lojtari 30-vjeçar i Tiranës (10 ndeshje këtë sezon) nuk udhëtoi me grupin e drejtuar nga Edi Martini në grumbullimin e Malit të Zi. Beqiri pritet të nënshkruajë me Partizanin e Kategorisë së Parë. Nga Vllaznia janë larguar edhe Elvin Beqiri e Blerim Rustemi, ndërkohë që më parë kishin ikur braziliani Leonardo dhe Llënga.
KASTRIOTI
Sulmuesi maqedonas Zoran Zlatkovski (22 vjeç, 3 ndeshje me Pirin Blagovgrad në Superligën bullgare) është përforcimi i bujshëm i Kastriotit të Krujës. Sipas “Panorama Sport”, presidenti Artan Djala ka rënë parimisht dakord edhe me dy futbollistët kroatë, mbrojtësin Matko Djarmati (27 vjeç, 15 ndeshje këtë sezon me Skënderbeun, 1 gol) dhe sulmuesin Milain Guerrib (24 vjeç, 16 ndeshje, 6 gola me Skënderbeun). Një marrëveshje paraprake Kastrioti ka arritur edhe me mesfushorin Gentian Gjondeda, por 29-vjeçari (13 ndeshje këtë sezon) nuk ka siguruar ende lejën e kalimit nga Skënderbeu (ka bërë padi në FSHF).
7 Janar 2010