E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri nuk i flet më shumicës

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, po kultivon një mënyrë të re të komunikimit të tij me publikun, duke imponuar propagandë në vend të informacionit dhe duke shmangur gazetarët nga debati me të. Dalja e tij e fundit publike ishte një shembull për këtë metodë të re.

Në vitin e parë dhe të dytë të tij si kryeministër, Sali Berisha ishte shumë i hapur. Konferencat e tij të shtypit ishin të mbushura me gazetarë të njohur dhe ai mund të debatonte me ta gjatë pyetje-përgjigjeve. Pak nga pak numri i gazetarëve u reduktua dhe numri i zyrtarëve u shtua. Tashmë, konferencat e tij të shtypit janë si mbledhje qeverie, ku mund të dëgjosh, por s’mund të pyesësh për t’u sqaruar.

Po përse ndodh kjo?

Shkaku i parë i besueshëm është mungesa e përgjigjeve. Le ta ilustrojmë me konferencën e tij të fundit. Ai foli rreth 15 minuta për raportin e “Transparency International”, duke keqpërdorur raportin dhe duke anashkaluar thelbin e tij. Ai foli për 224 zyrtarë të penalizuar, një shifër e gënjeshtërt, që ka parasysh shkarkime nga puna për qëllime shpesh shumë larg korrupsionit dhe për 53 zyrtarë të arrestuar, të cilët tashmë që flasim janë të gjithë të lirë.

Propagandë e qartë ishte dhe bilanci i reformave antikorrupsion. Ai tha se ka bërë tri reforma: ka ngritur Task Forcën Antikorrupsion, ka reformuar ekipin Antikorrupsion pranë kryeministrit dhe ka rritur shpejtësinë e përgjigjeve ndaj medias dhe qytetarëve. Siç dihet, Task Forca Antikorrupsion ka ekzistuar në të gjitha qeveritë dhe ka qenë kot, ekipi i reformuar Antikorrupsion pranë qeverisë deri më sot nuk ka asnjë impakt publik, kurse përgjigjet ndaj medias dhe qytetarëve janë shumë të verifikueshme që janë propagandë. Shtypi ka një muaj që kërkon thjesht dy përgjigje, kush e ka vjedhur spotin antikorrupsion dhe si është prokuruar, dhe kryeministri nuk jep ende përgjigje, por fyen këdo që pyet për këtë gjë.

Gërdeci ishte po ashtu një përpjekje e qartë për të devijuar pyetjet. Në këtë emision ne kemi dëshmuar bashkimin e dy historive, të trafikut të armëve në Rinas me demontimin në Gërdec. Historitë i bashkon Mihal Delijorgji dhe njerëzit e afërt të kryeministrit që bashkëpunuan me të. Kryeministri si një avokat i papërmbajtur i fajtorëve të Gërdecit deklaroi se nuk ka asnjë provë zyrtare ta provojë këtë. Nxitimi për të marrë përsipër ndikimin në hetim kaq brutalisht nuk është transparencë, por implikim.

Kryeministri ka pakësuar ndjeshëm fjalorin dhe për monopolet ekonomike. Tha se e kemi gjetur Shqipërinë nën kthetrat e Klanit të Zemunit dhe tani e kemi çliruar. Në fakt, një nga këshilltarët kryesorë të zotit Berisha, lobisti serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i superpaguar prej tij, ka akuza të qarta që është pjesëtar i Klanit të Zemunit dhe që ka biznese shumë të dyshimta me rrethin më të afërt politik dhe familjar të kryeministrit. Ne mund t’ia faktojmë këtë. Kryeministri harroi të ripërmendë ata që ka akuzuar për trafikantë nafte dhe armësh para vitit 2005. Nuk i përmend dot, se tashmë i ka klientë të pushteti të tij. Asnjë proces nuk është iniciuar nga qeveria kundër atyre që ai quan klane kriminale në ekonomi, përveç arrestimit të disa kriminelëve ordinerë.

Dhe së fundi ka një rritje të agresivitetit të tij ndaj gjithkujt që mendon se nuk e ka nën kontroll. Çdo media që nuk e quan të vetën, e fyen, çdo institucion që mendon se nuk e ka nën kontroll, e sulmon, çdo faktor politik që i prodhon opozitë, e denigron. Është një situatë tipike e njeriut që nuk lufton më për shumicën, por për një pakicë që e ndjek pas. Në koshiencën e vet duket se e ka humbur atë dhe lufton të bindë të vetët, të cilët dhe kështu të bindur ngjajnë.

Marrë nga “Faktor Plus”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›