E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofensiva aneksioniste e Serbisë “evropiane”

Rreziku i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të kësaj pavarësie nga dyzet e gjashtë shtete të botës, në vend që të zvogëlohej, ka ardhur duke u rritur. Tërë procesin çintegrues, që filloi me shkatërrimin e pikave doganore në veri, me pushtimin e gjykatave në Mitrovicë dhe me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe e me konstituimin e pushteteve paralele në komunat e Kosovës, e sublimoi në mënyrë elokuente presidenti serb, Boris Tadiç, në aktivitetet e tij në Nju-Jork. Gjendjen e fituar me dhunë në terren, atë të ndarjes faktike të Kosovës, ai e shprehu realisht, kur deklaroi se “të gjitha opsionet janë legjitime dhe më të mira se ajo sipas të cilës njëra palë i fiton të gjitha, ndërsa pala tjetër i humb të gjitha.” Edhe pse logjika e tij në këtë kontekst është ajo e ndarjes së presë e jo e mbrojtjes së “legalitetit dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, prapëseprapë, ajo logjikë ka filluar të funksionojë. E bashkuar me projekt-rezolutën serbe, e cila kërkon nga Gjykata e Drejtësisë që të deklarohet lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që është futur në rendin e ditës së Asamblesë së Përgjithshme, ideja e ndarjes së Kosovës ka rrezik që të bëhet pjesë e pazareve lidhur me veriun e vendit. Në një variant të mundshëm, Serbisë mund t’i ofrohet që të jetë “partner qeverisës” sikundër po kërkon presidenti serb si kundërvlerë e tërheqjes ose e dështimit të projekt-rezolutës. Ky rrezik bëhet edhe më i madh, kur dihet se komuniteti ndërkombëtar e veçmas Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i kompleksuar në raport me Serbinë. Serbisë i ofrohen lloj-lloj lehtësirash për integrimin, edhe pse ajo nuk ka realizuar qoftë dhe një kusht minimal, sikundër është dorëzimi i Ratko Mlladiçit dhe i Goran Haxhiçit në Tribunalin e Hagës. Edhe pse Serbia e kundërshton me arrogancë të paparë vendosjen e EULEX në Kosovë, Bashkimi Evropian sillet me inferioritet ndaj kësaj arrogance poshtëruese të qeverisë së Beogradit. Me një kësi inferioriteti në raport me Serbinë nuk është jashtë mundësive teorike që Bashkimi Evropian të jetë i gatshëm të marrë në konsiderim edhe kërkesat e reja të Serbisë, sikundër është ajo që Serbia të jetë “partner qeverisës” në Kosovë, së paku derisa të zgjidhet kontesti në Gjykatën e Drejtësisë. Vizita e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Bozhidar Gjeliç dhe e ministrit Goran Bogdanoviç në Graçanicë dhe në Mitrovicë, ku e vazhduan fushatën e shpjegimit të “planit për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, është brenda atij “partneriteti qeverisës” në Kosovë. Ministrat e Serbisë vijnë e bëjnë fushata në Kosovë njësoj sikundër i bëjnë ato në Aranxhelovc ose në Qupri, dhe askush nuk ua prish terezinë. Për ta kuptuar sesa thellë janë futur ata në qeverisjen e Kosovës, mund të bëjmë një paralele: A është e mundur që ministrat e qeverisë së Kosovës të shkojnë në Preshevë e në Bujanovc dhe t’u shpjegojnë shqiptarëve të atjeshëm “planin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”? Deri sot kjo gjë nuk është provuar. Por, Serbia e ka një rrethanë të favorshme edhe për faktin se disa shtete të Bashkimit Evropian, veçmas Qiproja, Spanja, Sllovakia, Rumania, (dhe presidenti i Polonisë), janë të zëshëm kundër pavarësisë së Kosovës, së paku po aq sa edhe Bjellorusia e Llukashenkos, Libia e Gadafait e Venezuela e Çavezit. Presioni i tyre ndaj pavarësisë së Kosovës përditë e më shumë po e inkurajon arrogancën e qeverisë së Beogradit. Prandaj, me një Bashkim Evropian inferior ndaj Serbisë e të përçarë në vetvete rreziku për realizimin e pretendimeve aneksioniste serbe është real.

Nga ana tjetër, me një Bashkim Evropian të këtillë, inferior, jo-unik e të pavendosur, edhe nëse vendoset EULEX në tërë territorin e vendit, nuk ka gjasa të ketë efektivitet në integrimin e serbëve. Në esencë, EULEX është i dizajnuar që të jetë një mbikëqyrës mbi politikat e qeverisë së Prishtinës e jo që të ndihmojë rikthimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës. Pra, edhe me kushtin që EULEX të jetë plotësisht efikas në terren, ai nuk ka as mandat e as kapacitete që të pengojë pretendimet aneksioniste të Serbisë. Këtë mandat, në fakt, nuk e ka askush. Madje as KFOR nuk është i mandatuar që të ndikojë ndaj politikave çintegruese serbe, me kusht që ato të jenë “paqësore’. Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe dhe konstituimi e funksionalizimi i “kuvendeve komunale është provë e qartë se edhe KFOR rri mënjanë në këso procesesh politike të realizuara me “mjete paqësore’.

Rrjedhimisht, barra kryesore e përpjekjeve për ri-integrimin e pjesës veriore të Kosovës duhet të bjerë mbi vetë qeverinë e Prishtinës. Këtë fjalë qeveritarët e Prishtinës nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë, por ky është realiteti kokëfortë. Deklaratat se po harmonizohen politikat me “miqtë tanë”, janë dëgjuar tash tetë muaj pas pavarësimit të vendit, por rezultate nuk ka pasur. “Miqtë tanë” pa dyshim që nuk janë pa përpjekje, por ato janë të kalkuluara nga mungesa e vullnetit për t’i shkuar punës deri në fund, (Bashkimi Evropian), po edhe nga mungesa e mundësive për të ndikuar më shumë mbi Beogradin dhe miqtë e Beogradit, (SHBA). Është evidente se as SHBA nuk kanë kapacitete e mundësi që t’ia ndërrojnë mendjen Rusisë lidhur me Kosovën. Deri tash, SHBA nuk kanë pasur fuqi që t’ia ndërrojë mendjen madje as Malit të Zi e Maqedonisë e lëre më Qipros. Pra, ata që e kujtojnë SHBA si supermen, kanë pasur në këta tetë muaj rastin të binden se edhe ajo i ka fuqitë të limituara dhe se ndikimi i saj te disa shtete nuk ecën fare.

Por, në disa raste, nuk është e qartë as vendosmëria e SHBA për ta integruar Kosovën në proceset rajonale. Fjala vjen, tash është hedhur nga Uashingtoni zyrtar ideja që të ftohen në Kartën e Adriatikut Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, por nuk është përmendur Kosova. Sigurisht, kjo shmangie e Kosovës bëhet për të mos e irrituar pjesën serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Por, qëndrimi është joparimor, meqë Kosova tash është shtet i pavarur e sovran dhe fati i saj integrues nuk do të duhej të varej nga humori i keq i fqinjëve.

Sille nga ta sjellësh, është e qartë se pjesën e punës që duhet ta bëjë qeveria dhe populli i Kosovës, iu takon vetëm atyre. Atëherë, çfarë mund të bëjë qeveria dhe populli i Kosovës, për të parandaluar ndarjen fatkeqe të vendit? E para, qeveria dhe populli i Kosovës do të duhej të jenë tërësisht të angazhuar për kthimin e serbëve të zhvendosur në shtëpitë e veta, duke eliminuar pasojat e uzurpimit të pronave të tyre. Fatura e uzurpimit të pronave dhe e pengimit të lirisë së lëvizjes në vitet e kaluara tash ka rrezik që t’i faturohet tërë vendit, me arsyetimin e kërkesave për ndarje. Prandaj, për ta penguar këtë skenar, duhet të bëhet shumë më tepër në këtë aspekt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›