LASK Linz “bojkoton” Duron, do Skelën
Jo Klodian Duros dhe pro një tratative të mundshme me fantazistin kuqezi, Ervin Skela. Kjo është ajo çka raportojnë mediat e huaja, kryesisht ato austriake. Vendimi është marrë nga trajneri i Lask Linz, Helmut Kraft, i cili ka ndjekur të mërkurën në mbrëmje nga tribuna e stadiumit “Niko Dovana” ndeshjen Shqipëri-Uzbekistan. Tekniku ka hequr dorë nga Klodian Duro, kjo si duket për performancën e dobët të mesfushorit kuqezi, duke i hedhur sytë kështu nga Skela. Ndërkaq, uebsajti austriak “nachrichten.at” bën me dije se veç Skelës, kjo skuadër ka kërkuar edhe shërbimet e mesfushorit tjetër shqiptar, (kosovar) por me pasaportë austriake, Emin Sulimani. Që të dy futbollistët aktualisht janë pa skuadër, ndaj edhe LASK-u është vënë në ndjekje të tyre, me qëllim që të përfitojë nga afrimi në klub me parametra zero. LASK e ka nisur shumë dobët Kampionatin 2010-2011, duke humbur katër ndeshjet e para. Për këtë arsye, drejtuesit e skuadrës janë duke punuar për të angazhuar disa futbollistë të rinj.