E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Turizmit e Kulturës pezullon kreun e Parkut të Butrintit Pezullohet Ylli Cerova, arsyeja: Keqadministrim i Butrintit

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj, ka paralajmëruar edhe në takime të posaçme që të merren masa, që pastërtia të jetë primare, sidomos gjatë sezonit turistik. Urdhër ky i pazbatuar nga z. Cerova, ku është vënë re papastërtia, objekte të ndaluara në brendësi të parkut, si dhe shkelja e rregullave në lidhje me mirëmbajtjen e vlerave arkeologjike të parkut

Drejtimi i vështirë i Ylli Cerovës, në krye të Parkut Kombëtar të Butrintit, ka marrë fund me pezullimin e tij nga detyra. Sipas një njoftimi nga ana e zyrës së shtypit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, arsyeja e pezullimit është keqadministrimi i këtij parku. “Arsyeja e këtij pezullimi ka qenë për shkak të mungesës së pastërtisë në Parkun e Butrintit. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj, ka paralajmëruar edhe në takime të posaçme që të merren masa, që pastërtia të jetë primare, sidomos gjatë sezonit turistik. Urdhër ky i pazbatuar nga z. Cerova, ku është vënë re papastërtia, objekte të ndaluara në brendësi të parkut, si dhe shkelja e rregullave në lidhje me mirëmbajtjen e vlerave arkeologjike të parkut”, - shkruhet në komunikatën për shtyp. Prej kohës që kur Ylli Cerova u vendos në krye të Parkut të Butrintit, nuk kanë reshtur kritikat në lidhje me administrimin e tij, numrin e turistëve në ulje, ndërhyrjeve të paligjshme, etj. Drejtori shkencor i fondacionit “Butrinti”, Richard Hodges, ka akuzuar në media drejtuesin e Parkut të Butrintit për abuzimin me biletat e vizitorëve. Sipas tij, të dhënave të deklaruara u mungojnë 25 mijë copë bileta, me nga një vlerë prej 5 euro secila. Një nga rastet që ka bërë bujë të madhe katër vjet më parë, ka qenë ndërhyrja restauruese e një porte antike të shek. IV, ku si lëndë bazë u përdor betoni, kategorikisht i pakëshillueshëm për një monument të këtij lloji. Zhurma qe e madhe aso kohe dhe çoi në shembjen e harkut të betontë si dhe hedhjen poshtë të miliona lekëve të shpenzuara për atë ndërtim. Herë pas here është ngritur pretendimi se në Parkun e Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore, në mbrojtje të UNESCO-s, mësojnë dorën studentë shqiptarë e të huaj, që zhvillojnë shkolla verore në këmbim të një pagese jo të vogël, e cila nuk dihej se ku shkonte. Pas problemesh të njëpasnjëshme të ngritura në shtyp nga specialistë të fushës, apo ish-drejtues të parkut, goditja e fundit për Cerovën qe Teatri Ndërkombëtar i Teatrove “Butrinti 2000”, i cili prej 11 vjetësh organizohet në skenën antike. Me anë fotografish dhe dëshmive okulare është vërtetuar shpërdorimi i hapësirave të parkut nga ana e organizatorëve dhe pasiviteti i treguar nga ana e menaxhuesve të Butrintit, e më konkretisht, drejtorit Ylli Cerova. Gozhdë të ngulura në muret antike, ku vareshin garderoba, automjete të tonazheve të rënda të futura mes rrënojash, rekuizita të rënda të mbështetura nëpër blloqet e gurtë e njerëz që livadhisnin andej-këndej, pa asnjë lloj kontrolli. Dhe duket se motivacioni i pezullimit të z. Cerova nga ana e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është mbështetur edhe në faktet e mësipërme. a.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›