E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dimrajt s’i dhimbset Tirana, po e shkatërron”



Julian Ahmataj tashmë është pjesë e Flamurtarit. Edhe se i vjen keq që u largua nga bardheblutë, futbollisti shpjegon arsyet pse nuk mund të qëndronte më. Sipas Ahmatajt, oferta e bërë nga shefi i klubit, Rauf Dimraj, ishte qesharake. Mesfushori shton se Dimrajt i intereson që ta përdorë klubin për qëllimet e tij.
Vetëm dy ditë te Flamurtari, por menjëherë jeni aktivizuar. Përshtypjet e para për ekipin e ri...
Fillimisht dua të falënderoj drejtuesit dhe klubin për vlerësimin që më bënë duke më ofruar një vend te Flamurtari. Këtu ndihem shumë mirë. Në ekip janë edhe lojtarë të tjerë, të cilët kanë luajtur më parë te Tirana.
Sa sezone do të qëndroni në Vlorë?
Kam firmosur një kontratë njëvjeçare, por me të drejtë rinovimi. Kur të përfundojë ky vit futbollistik, do të ulemi prapë me drejtuesit e klubit dhe do të flasim. Transferimi im tek Flamurtari ndodhi shumë shpejt. Gjithçka u përfundua brenda dy ditësh, pasi oferta e bërë nga kuqezinjtë dhe projekti më bindën.
Cilat ishin arsyet e largimit nga Tirana?
Prita kaq shumë kohë, por nuk mund të vazhdoja kështu. Vazhdonim të ishim pa kontrata, ndërkohë që zgjidhja nuk po vinte. Pastaj gjëja më me rëndësi ishte se nga klubi i Tiranës dhe nga shefi i tij na u bënë oferta qesharake. Të tillë ofertë unë nuk mund ta pranoja, kur më parë kam përfituar më shumë, por gjithashtu ajo nuk jepte realisht atë që unë meritoj. Për më tepër që u është dhënë më shumë përparësi futbollistëve të sapoardhur, por që nuk kanë të njëjtin nivel me ne. Këtë nuk arrij ta kuptoj!
Më vjen keq për Tiranën, e cila ndodhet në këtë situatë. Po kështu vepron shefi i klubit, atij nuk i dhimbset asgjë! Por ai ka punën e tij. Unë s’e di ku do të shkojë Tirana. U uroj të gjithë lojtarëve që të kenë sa më shumë suksese në punën e tyre dhe të arrijnë sa më shumë. I jam mirënjohës presidentit Halili, i cili më ka respektuar.
Ju vjen keq që u larguat nga Tirana?
Po, sigurisht. Përveçse kam kaluar momente shumë të bukura te bardheblutë, ardhja në Vlorë është edhe sakrificë. Unë kam familjen në Tiranë dhe jetoj aty. Por ky është profesioni ynë dhe për këtë punë paguhemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›