LDD hesht
Krerët më të lartë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë shprehen të mos jenë fare në dijeni për largimet e fundit nga partia e tyre drejt LDK’së.
Nënkryetari i LDD’së, Lulzim Zeneli, ka deklaruar të hënën për Express se nuk ka dijeni për ikjen e Degës III të partisë së tij.
“Unë nuk jam në dijeni për këtë dhe nuk dua të komentoj më shumë për këtë”, është shprehur shkurt Zeneli.
Lidhja Demokratike e Dardanisë për çdo ditë po zvogëlohet. Struktura të ndryshme të degëve dhe nëndegëve të partisë, e cila nuk arriti ta kalojë pragun në zgjedhjet e fundit, po gjejnë strehë tek partia të cilën dikur e braktisën, në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Së fundi, është Dega III e Prishtinës, e prirë nga Musli Mehaj, e cila është kthyer në shtëpinë e vjetër, gjegjësisht në Degën e Tretë “Presidenti Rugova”.
Kjo u bë e ditur nga vetë Mehaj, i cili edhe zyrtarisht ka njoftuar se Dega III e LDD’së ka kaluar komplet në partinë e vjetër. Në komunikatë theksohet se ata janë pritur përzemërsisht nga kryesia e kësaj dege dhe kryetari i saj, Arsim Janova.
Te dy kryesitë janë zotuar se do të punojnë për të mirën e Kosovës dhe LDK’së.
Pas kësaj ikje të radhës, LDD nuk ka bërë asnjë sqarim apo reagim për arsyet e mundshme. Burime nga partia bëjnë të ditur se teposhtëza e nisur në zgjedhje tashmë nuk dihet kur do të ndërprehet.
Edhe për kundër faktit se para ardhjes së Isa Mustafës në krye të LDK’së, kryetari i LDD’së Nexhat Daci deklaronte se mund të bashkohen dy partitë, tani qëndrimi i tij ka ndryshuar.
Ai nuk dëshiron që shkrirja e partisë të ndodhë tërësisht, edhe pse zyrtarët individualisht nuk po e përfillin dhe po ikin për çdo ditë.
Ditë më parë nga LDD janë larguar edhe nënkryetari Naser Rugova dhe sekretari i përgjithshëm Sejdë Tolaj. Ndërsa edhe gjatë muajve të kaluar, nga LDD në LDK kanë dalë zyrtarisht nëndegë nga disa komuna dhe qindra simpatizantë.