Pranga zyrtarit, lironte të burgosurit me mito
Tre persona kanë përfunduar në pranga, pasi që ata, në mënyrë të kundërligjshme mundësuan lirimin e personave të burgosur pa plotësimin e kritereve për lirimin me kusht, njofton policia
Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit në Pejë, dje ka arrestuar tre persona të dyshimtë lidhur me veprat penale: shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, marrje e mitos, dhënie e mitos.
Të arrestuarit janë: Bajram Z., i lindur më 1955, me banim në Prishtinë; Burim Z. (1974) me banim në Prishtinë dhe Bajram Sh. me vendbanim në Fushë-Kosovë.
Arrestimi i tre të dyshuarve kishte rezultuar pas marrjes së informacionit nga burgu i Dubravës në Istog se paneli për lirimin me kusht të dënuarve është duke marrë ryshfet për lirimin e të dënuarve pa plotësimin e kritereve për lirim me kusht.
Lidhur me këtë informacion është njoftuar Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, nga e cila është dhënë urdhëresa me shkrim për zhvillimin e hetimeve paraprake.
I dyshuari Bajram Z. deri në momentin e arrestimit ishte i punësuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në Prishtinë, njëherit ka qenë i angazhuar si anëtar i panelit për lirimin me kusht të personave të dënuar (burgosur) pranë Ministrisë së Drejtësisë, në periudhën kohore 2006-2010.
Gjatë kësaj periudhe duke keqpërdorur detyrën zyrtare si anëtar i panelit, duke pranuar ryshfet nga i dyshimti Burim Z. njëherit vëlla i tij ka liruar persona të burgosur pa plotësimin e kritereve për lirimin me kusht.
I dyshuari Burim Z. deri në momentin e arrestimit ishte i punësuar në PTK (Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës) në Prishtinë si vozitës, dhe i njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar, fillimisht në gjetjen e familjeve të personave që janë në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës dhe më pas ka caktuar shumat e të hollave për lirimin e tyre, shuma këto të cilat ia ka dorëzuar të dyshimtit Bajram Z. përkatësisht vëllait të tij. Gjatë kësaj periudhe kohore i dyshuari Burim Z. ka mbajtur kontakt telefonik me të burgosurit dhe panelistët.
Bajram Sh. gjithashtu dyshohet se ka qenë i angazhuar që të gjejë persona që gjenden në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës dhe ka bërë ndërmjetësimin e marrëveshjeve lidhur me lirimin e tyre përmes të dyshuarit Bajram Z. dhe Burim Z.
Tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orëve.