Në spitale ndalohet duhani!
Derisa ka nisur pjesërisht implementimi i Ligjit kundër duhanit, tashmë nëpër institucionet shëndetësore duhani ndalohet tërësisht. Drejtuesit e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ditë më parë kanë nxjerr një urdhëresë me të cilën ndalohet pirja e duhanit në gjithë hapësirën e kësaj qendre dhe tani punonjësit që thyejnë këtë rregull do të dënohen me 5 për qind të pagës që marrin.
Implementimi i Ligjit kundër duhanit është reflektuar pozitivisht sidomos për institucionet shëndetësore, pasi pirjes së duhanit edhe nëpër spitale i ka ardhur fundi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Lulzim Emini, tha për Kosovapress se vendimin për të ndaluar tërësisht pirjen e duhanit brenda për brenda institucioneve shëndetësore e ka marrë sepse nga këtu duhet të jepet shembulli për respektimin e Ligjit kundër duhanit.
“Këtë e kam bërë ngase kam menduar se institucioni shëndetësor duhet ta respektojë i pari këtë ligj, e pastaj të vinë komunat apo kompanitë tjera”, ka thënë ai. Në këtë rast duhet përmendur se Ligji kundër duhanit lejon që lokalet afariste dhe kafiteritë e restorantet në një hapësirë prej 30 për qind të mund të përdorin duhanin, por jo edhe institucionet shëndetësore.
Sipas Eminit, tashmë sikurse në të gjitha vendet e zhvilluara edhe tek ne pirjes së duhanit nëpër spitale i ka ardhur fundi dhe se punonjësit që thyejnë këtë rregull do të dënohen me 5 për qind të pagës që marrin. Sipas urdhëresës së nxjerr nga drejtuesit e QKUK-së tani punonjësit shëndetësorë do të kenë mundësi të konsumojnë duhan vetëm jashtë objekteve.
Ligji kundër duhanit ka hyrë në fuqi qysh në muajin shkurt të vitit 2010, por vetëm para disa dite ka nisur të implementohet. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë dhe çdo vit vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.