E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Zgjedhjet në Kosovë, lëshime serioze

Nga Express më 18 janar 2011 në ora 11:22

Në zgjedhjet e dhjetorit dhe në rivotimet e janarit në Kosovë, janë vërejtur përmirësime teknike, por ka pasur edhe lëshime serioze dhe mosrespektim të rregullave zgjedhore, kanë thënë eurodeputetë gjatë diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian në Strasbourg.

Radio Evropa e Lirë raporton se kishte dhe vlerësime se zgjedhjet në Kosovë nuk ishin sipas standardeve ndërkombëtare.

Në fjalimin e saj, Ulrike Lunaçek, shefe e delegacionit vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë, ka tërhequr vërejtjen për mashtrime gjatë numërimit të votave dhe kërcënime.

Ajo ka përmendur se edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, po kërkojnë që të formohet qeveria e “duarve të pastra”, që do të thotë pa personat që janë nën hetime.

Lunaçek tha se “cilat do parti që të vijnë në qeveri, në Kosovë duhet të ketë ndryshime”.

Anëtari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, tha se “përshtypja e përgjithshme është e kënaqshme” , por “në shumë vendvotime ka pasur kurdisje të qarta dhe falsifikime të procesit zgjedhor”.

Sipas tij, “procesi i këtillë zgjedhor në Kosovë e frenon përparimin e përgjithshëm dhe dialogun e Prishtinës me Beogradin”.

Anëtari i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, tha se, megjithë vështirësitë, “zgjedhjet e përsëritura në tri komuna kanë dhënë rezultate, pasi kryeministri në dorëheqje dhe partia e tij i kanë humbur dy deputetë”.

Ai, më tutje, ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e serbëve të Kosovë në zgjedhje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›