LDD kërcënon Presidentin

Zyrtarë të LDD’së kanë akuzuar Presidentin Fatmir Sejdiu për, siç kanë thënë, keqpërdorim të detyrës së tij dhe shantazh ndaj anëtarëve të kësaj partie.
Anëtari i Kryesisë së LDD’së, Sejdë Tolaj, në një konferencë për media, të mërkurën, ka theksuar se vazhdimisht zyrtarë të LDD’së dhe partive të tjera në vend, ftohen nga Presidenti Sejdiu për të aderuar në partinë e tij, LDK, por nuk ka përmendur asnjë emër të anëtarëve të, siç thuhet, të shantazhuar.
“Kjo zyrë është shndërruar në një byro trafikuese, ku intrigohet dhe shantazhohet me ofrim të vendeve të punës dhe pozitave të ndryshme në institucionet e vendit”, ka thënë Tolaj.
Ai, po ashtu, ka thënë se Presidenti Sejdiu është duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kurse ka shtuar se për këtë ai është i gatshëm që të deklarohet në çdo instancë gjyqësore.
Anëtari i Kryesisë së LDD’së ka kërcënuar LDK’në se do të prishë koalicionin në Prizren dhe Gjilan, në rast se ajo do të vazhdojë me veprime të tilla.
“Nëse vazhdohet me veprime të tilla kundër anëtarëve të LDD’së, LDD’ja do të ndërmarrë hapa shumë radikalë në raport me LDK’në. Kemi kërkesa nga anëtarësia e gjerë dhe brenda Kryesisë së LDD’së që të ndërpritet koalicioni në Prizren dhe Gjilan”, ka thënë Tolaj.
Për më tepër, Tolaj ka reaguar edhe ndaj deklaratave të drejtuesve të AAK’së për bërjen publike të anëtarëve të rinj në këtë subjekt politik nga komuna e Kaçanikut, duke thënë se nuk ka pasur aderim në AAK nga anëtarë të Degës së LDD’së në Kaçanik.
“Sa i takon paraqitjes mediale të para dy ditëve të zyrtarëve të AAK’së, kinse për kalimin e Degës së LDD’së në AAK në komunën e Kaçanikut, e quajmë manipulim me opinionin publik. Individë të cilët janë prezantuar para mediave nuk kanë qenë kandidatë të LDD’së në zgjedhjet e vitit 2009, por kanë qenë kandidatë të AAK’së”, ka thënë ai.