LDD mbledh këshillin kombëtar
Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) mblodhi të premten këshillin e saj kombëtar me ç`rast diskutoi për ngecjet e kësaj partie pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, në të cilat kjo parti nuk kaloi pragun për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ka thënë se partia që ai drejton me vendosmëri do të vazhdojë të punojë për të mirën e vendit, si dhe do të fuqizojë partneritetin dhe jo vasalitetin me faktorin e jashtëm.
“LDD është e përkushtuar të punojë për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, me integritet të garantuar dhe sovranitet nëpërmjet fuqizimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, fuqizimi i prioriteteve, e që janë zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi dhe shkenca, një qeverisje që ka dhjetë prioritete është garanci se nuk i intereson asnjë prioritet, fuqizim i partneritetit dhe jo vasalitetit në faktorin e jashtëm, i cili ka qenë kontribuues në pavarësimin dhe zhvillimit të gjithë mbarshim”, ka thënë Daci, raporton KosovaPress.
Pjesa tjetër e punimeve të këshillit kombëtar të LDD-së ka vazhduar pa praninë e mediave. Ndërkaq në një komunikatë për medie kjo parti ka paraqitur vlerësimin e saj në të cilën thuhet se këto zgjedhje u karakterizuan me shumë probleme, ndërsa procesi i monitoruar gjyqësor ndaj akademik Nexhat Dacit pak ditë para fillimit të fushatës zyrtare ishte goditja më e madhe që i është dhënë këtij subjekti politik.
Për këto arsye sipas komunikatës Lidhja Demokratike e Dardanisë nuk arriti të frymën themeltare për çka ishte krijuar.
Për më tepër Lidhja Demokratike e Dardanisë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë nuk arriti që të fitojë përqindjen e mjaftueshme për të hyrë në parlament.