E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita, sinjal se Serbia po e kupton realitetin

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 16:00

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë presioni nga bashkësia ndërkombëtare për vizitën e shefit të ekipit negociator serb Borko Stefanoviq, ndërsa shtoi se do të vizitojë Serbinë atëherë kur ky vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ajo këto komente i bëri të premten pas një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e shoqatave për personat e pagjetur. Me këtë rast, Tahiri ka thënë se vizita e Stefanoviqit është sinjal se Serbia po e kupton realitetin e krijuar në Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

“Ishte një vizitë që për mendimin tim mund të sinjalizojë si një hap të parë që Serbia, po e kupton realitetin dhe atë jo veç të Pavarësisë së Kosovës, por edhe realitetin e Ballkanit, Ballkanit me shtatë shtete. E dyta, reagimi që ndodhi ishte po ashtu një realitet, sepse reagimi i djeshëm i qytetarëve të Kosovës ishte reagim ndaj gjenocidit që Serbia ka bërë në Kosovë gjatë luftës”, ka thënë Tahiri.

Për më tepër, ajo shton se protestat e djeshme ishin edhe një mesazh për Serbinë, por edhe për botën që kur bëhet një gjenocid, ai nuk harrohet kurrë.

Tahiri ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë presioni nga bashkësia ndërkombëtare për vizitën e Stefanoviqit në Kosovë. Ajo ka bërë të ditur se kjo ide ishte e kryenegociatorit serb qysh në fillim të bisedimeve.

Ajo edhe njëherë ka bërë të ditur se gjatë takimit të djeshëm me kryesuesin e delegacionit serb për dialog Kosovë-Serbi, i është bërë me dije se Kosova ka një filozofi moderne për shtetin dhe institucionet e saja janë të angazhuara për një Kosovë euro-atlantike.

“Pjesa më e madhe e takimit u fokusua në analizën e rrjetave të dialogut teknikë dhe këmbimin e pikëpamjeve për të gjetur zgjidhje për çështje praktike, të cilat më të vërtetë do të kontribuojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve një pjesë të takimit. Unë e shfrytëzova për ta njoftuar përfaqësuesin e Republikë së Serbisë për vizionin e Republikës së Kosovës, për shtetin e pavarur”, ka thënë Tahiri.

Ndër të tjera, Tahiri tha se gjatë takimit i ka bërë me dije Stefanoviqit se Kosova angazhohet për fqinjësi të mirë me shtete fqinjë dhe për një stabilitet rajonal, dhe për këto arsyeje ka pranuar dialogun ndërshtetëror teknik me Serbinë.

Zëvendëskryeministrja konfirmoi se gjatë takimit me Stefanoviqin, në tavolinë ka qenë flamuri i Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tha se do të vizitojë Serbinë atëherë kur ky vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Sa më takon mua personalisht, në Beograd do të shkoj kur Serbia i plotëson kushtet dhe kushti kryesor është njohja e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›