E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë me Vorsklan

Armend Dallku e Ahmed Januzi kanë vendosur që karrierën ta vazhdojnë në Vorskla. Dyshja kosovare me ekipin ukrainas ka vazhduar kontratat deri në vitin 2013 dhe vetëm ndonjë ofertë e majme, nga klubet tjera, mund t’i largojë nga qyteti i Poltavës. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 13 maj 2011 në ora 22:00

Dy reprezentuesit e Shqipërisë, Armend Dallku dhe Ahmed Januzi, u kanë dhënë fund spekulimeve se gjatë afatit kalimtar të kësaj vere mund të largohen nga Vorskla.

Dyshja kosovare ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në futbollin ukrainas edhe për disa vite, duke i vazhduar kontratat me skuadrën e Vorsklas deri në fund të vitit 2013.

Qetësia shpirtërore që e ndiejnë në Vorskla e ka bindur mbrojtësin dhe sulmuesin t’i mbesin besnikë skuadrës nga Ukraina, e cila aktualisht po lufton për një vend që dërgon në Europa League.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë këtu. Qetësia shpirtërore që e ndiej në këtë klub dhe në këtë qytet më ka shty ta vazhdoj kontratën. Nuk është më e mira vetëm paraja. Është shumë më e rëndësishme familja. Unë me familjen time, me fëmijën tim, jemi adaptuar shumë mirë këtu, andaj edhe vendosa ta vazhdoj kontratën”, deklaroi Dallku për Express.

Ai u shpreh të jetë i kënaqur edhe me kushtet e reja ekonomike që ia ka ofruar kryesia e klubit për ta vazhduar kontratën. Ish mbrojtësi i Kosovës së Vushtrrisë dhe i Prishtinës theksoi se vështirë se do ta braktisë Vorsklan para se t’i skadojë kontrata.

“Me këto tri vite që vazhdova kontratën, po bëhen thuajse dhjet vite që jam këtu dhe nuk është e lehtë për mua të largohem nga këtu. Megjithatë, nëse marr ndonjë ofertë shumë interesante, atëherë do ta shqyrtoj atë. Pastaj do të bisedoj me klubin, i cili nuk do të më pengojë të largohem, sepse kam marrëdhënie shumë të mira me zyrtarët”, u shpreh vushtrriasi.

“Vorskla nuk është skuadër që mendon për të përfituar shumë prej shitjes së futbollistëve. Kjo nuk është politika kryesore e klubit. Sidomos me mua nuk i shikojnë këto mundësi. Andaj, ata do të më mirëkuptojnë nëse kërkoj të mos pengohem për të ndërruar mjedis, edhe pse kjo vështirë se do të ndodhë”, shtoi Dallku i cili në vitin 2005 u transferua në Vorskla nga ekipi shqiptar Elbasani.

Beson në Europa League

Vorskla e Armend Dallkut dhe Ahmed Januzit është duke bërë përpjekje që kampionatin ta përfundojë në vendin e gjashtë, ku ndodhen aktualisht, pasi kjo pozitë çon në garat e Europa Leagues.

“Në ndeshjen e fundit mposhtëm si mysafirë rivalin kryesor për pozitë e gjashtë, Arsenal Kievin, dhe ia rrëmbyem atë. Edhe dy ndeshje i kemi për t’i zhvilluar. Shpresoj dhe besoj që skuadra do të gjejë forcë për t’u kualifikuar në Europa League”, u shpreh njëri ndër lojtarët kryesorë të Vorsklas.

Januzi, i rëndësishëm për Vorsklan

Bashkë me Armend Dallkun, kontratën me Vorskla Poltavan deri në vitin 2013 e ka vazhduar edhe sulmuesi i ri, Ahmed Januzi. Reprezentuesi i Shqipërisë pati paraqitje të mira me ukrainasit, të cilët i detyroi të bëjnë çmos për ta vazhdar kontratën.

“Vetë fakti që Vorskla i ka ofruar kontratë Ahmetit dëshmon se ky klub llogarit shumë në shërbimet e tij për të ardhmen. Januzi ndihet mirë dhe është i kënaqur me vazhdimin e kontratës. Ai akoma është i ri, por ka cilësi shumë të mira dhe klubi pret shumë nga ai. Nuk dyshoj se Januzi do të zhvillohet akoma më shumë dhe do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm. Ka një të ardhme të mirë”, theksoi Dallku.

Mbrojtësi 27 vjeçar ndihet me fat që ka në ekip bahkëvendasin e tij, Januzin, me të cilin kalon një pjesë të madhe të kohës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›