Ujësjellës i ri në Skenderaj
Është lëshuar në përdorim të enjten rrjeti i ri i ujësjellësit, i gjatë 6 kilometra, nga baseni kryesor në fshatin Tërnac e deri në hyrje të qytetit të Skenderajt. Sipas udhëheqjes së Njësisë së Ujësjellësit në Skenderaj, rrjeti është punuar me gypa nga materiali cilësor, nga polietileni dhe është hequr nga përdorimi rrjeti i vjetër.
“Përveç përmirësimit të kualitetit të gypave, ky projekt mundëson edhe rritjen e kapacitetit të bartjes së ujit”, ka thënë Ilaz Halili, menaxher i njësisë.
Sipas tij, me futjen e dy gypave, përveç se është bërë rritja e kapacitetit të furnizimit me ujë, është eliminuar edhe një problem i vazhdueshëm, sikur që ishin lidhjet ilegale nëpër fshatra jo vetëm për nevoja shtëpiake, por edhe për ujitje, shpesh duke dëmtuar edhe gypat.
Projekti është financuar nga Ministria e Financave në vlerë 377 mijë euro, kurse zyrtarët e Ujësjellësit janë shprehur të kënaqur me nivelin e kryerjes se punimeve.