E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Opojë dhe Prizren kremtohet Dita e Verës e quajtur “Verza”

Prizren, 15 mars 2010. Në trevën e Opojës dhe në disa fshatra të rrethinës së Prizrenit, këto ditë është shënuar Dita e Verës (“Dita e Verzës”), që është një rit iliro-shqiptar, tradicional, me elemente pagane dhe që tradicionalisht festohet më 12 e 13 mars dhe zgjat tri ditë.
Risi e kësaj feste, e cila daton që para Krishtit, është se viteve të fundit banorët kanë reduktuar praktikimin e ritualeve të lashta, profecitë. është transformuar në një festë, ku pikëtakimet caktohen përmes telefonatash nga celularet ose e mesazhet (SMS-të). Në ditën e festës shihen parada vajzash duke shëtitur. Dëgjohet humori i tyre rinor. Djem që defilojnë me makina luksoze me dritaren hapur e plotë muzikë që përpiqen të zbulojnë fatin e jetës. Vajza dhe djem të fejuar që takohen me njëri-tjetrin. Shkrepje fotokamerash dhe pozime bukuroshësh duke u fotografuar. Një vend të rëndësishëm zë gardëroba dhe veshja solemne e tyre. Në familjet menyja ushqimore me specialitetin e flisë vazhdon të jetë prezentë. Aty - këtu nuk kryhen ritualet e lashta iliro-shqiptare në vendin e kultit. Iku dhe “iso”-ja e këngës së zërave të vashave. Globalizmi dhe moderniteti i shoqërisë “kërcënon” seriozisht zhdukjen e festës iliro-shqiptare që në këtë zonë quhet “Verza”.
Festa e Verzës është festuar që nga lashtësia, por edhe pse në një masë të madhe ka filluar të reduktohet kremtimi i ritit, në shumicën e fshatrave tradita vazhdon. Si e kremte zgjatë dy ditë (nata dhe dita e festës). Në lashtësi banorët besonin se largimi i stinës së dimrit bëhej me ngjizjen që bënin hyjnitë e maleve dhe që sjellin pranverën. Dhe kjo ditë është simbolika e ekuinoksin pranveror. Në fshatin Plavë të Opojës, riti i Verzës fillon në majën e Kodrës që është një vend i lartë mbi fshat, mbi “Lisin e Vove” (Lisi i Vezëve). Kjo mbase ka të bëj me kultet e lashtësisë së popullit shqiptar. Kodrat e larta dhe malet, në kohët e lashta ishin maja të nderimit pagan. Nga shumë studime të bëra sqarohet se në besimet pagane shqiptare Dielli ishte objekt adhurimi, dhe atij i faleshin gjatë ditës. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe i objekt dobiprurës.
Dita e Verës (Dita e Verzës) është një festë që ngjallë ndjenja gëzimi e kënaqësie në çdo familje dhe që shton frymëzimin jetësor se tashmë stina e ftohtë e dimrit ka përfunduar, dhe po fillon pranvera. Për këtë Ditë të Verës bëhen dhe disa rituale pagane. Ka dhe disa elemente të ngjashme me festën e Pashkëve, si psh: vezët e ngjyrosura, lagësja e tyre me ujë mali, apo dhe luletherret që vendoseshin në dyer të shtëpisë, etj. Vezët e ngjyrosura janë simbolika e festës. Në të kaluarën në Natën e Verzës vajzat në grup dhe me def vallëzonin dhe këndonin:
“Lum, e lum xhi duel vera,
na u mbush fusha dhen e shtjerra.
Na u mbush fusha dhen e shtjerra,
gjymca të bardha, e gjymca të zeza”.
Askush nuk e di se kur ka nisur ë shënohej kjo festë . Në të kaluarën ishte zakon që për këtë ditë të “shkundej” shtëpia, pra të pastroheshin oxhaqet, gjë që simbolizon se dimri tashmë ka përfunduar. Sipas traditës, në fshatin Plavë (Opojë), deri para luftës së fundit (1999), pasditen e festës së Verzës, disa vajza të reja në grup dhe fëmijët, merrnin vezë të ziera, dhe dilnin në Kodër, rrëzë malit, pastaj poshtë pranë fshatit të vendi quajtur “Lisi i Vove” (Lisi i vezëve). Atje vezët i lagnin me ujë mali. Aty qëndronin për një orë duke kënduar dhe kërcyer. Kur ktheheshin nga Kodra në shtëpi, me vete merrnin drurët nga Rakite, dëllinja për të pastruar oxhaqet, luletherre për t’i vendosur në dyer të shtëpisë. Ndërsa djemtë e rinj (beqarët), pasditen e festës së Verzës, ndiznin zjarr, me dëllinja dhe kashtë, ku për disa orë vallëzonin, e këndonin rreth e rrotull zjarrit. Kur këta ktheheshin në shtëpi, kryefamiljares së shtëpisë sipas traditës i thoshin: “Oj e zota e shtëpisë, a je si të kemi lënë?”. Kryefamiljarja përgjigjej:”Jem, po qysh jem, një, dy më tepër i kam”.
Pastaj në familje përgatitej specialiteti i Flisë. Dhe kur shkonin në gjumë, djemtë dhe vajzat e futnin nga një copë fli nën jastëk, për ta zbuluar se “kah e kanë fatin e jetës” (me kë do të martohen). Po ashtu në mesnatë zgjoheshin. Djemtë beqarë ndiznin zjarre brenda në fshat, ku këndonin dhe vallëzonin. Ndërsa në familje, natën e festës së Verzës, e zonja e shtëpisë e merrte gjilpërën dhe qepte ndonjë rrobe me pe të kuq, dhe anëtarët e familjes duhej ta pyesin plakën: “Xhi po kepish? E zonja e shtëpisë përgjigjej:
syr me lie, syr me lesh,
goja e ukit me kërpesh,
bollës, gjarpnit, armikit, po ia guzhdoj,
natën e verzë, ditën e mojtë”
(v.j:çka po qep, syri nga liri, sy me lesh,
gojë e ujkut me presh,
bollës, gjarprit, armikut, po ia gozhdoj;
natën e verzës, ditën e majtë”).
syr me lie, syr me lesh,
gojën daskalit po ia gozhdoj;
(Gojën dhaskalit po ia gozhdoj.
Dhaskal (gr.didaskalos)- mësues. Fjalor i fjalëve të huaja, Prishtinë, 1988, faqe 155). Dy, tre ditë pas kremtes së “Verzës” fshatari bujk e mbillte tërshërën në ara, si kulturë e parë pranverore.
Sharmi etnokulturor i Opojës/Festat shekullore, apo kalendari i kremteve dhe riteve popullore në Plavë (Opojë) është si vijon: “Pitet e Djemve”( 6 janar); “Muaji Arbaini” (fundi dhjetorit – fundi janarit); “Kur moti kthehet kah vera“ (23 Dhjetor);” Plakëzat” (Nata e Plakave 12 janar); Ditë e kulmit të dimrit (fundi janarit); “Muaji Hamsini” (shkurt – mars); “Dita e hithrave (10 Mars); “Verza (Dita e Verës 12 – 13 mars); Ditë e Sulltan Nevruzit (21 Mars); Të hënat dhe të enjtet që nuk punohej (Prill- Maj); “Të Qethmet” (Maj – shtator); Ditë e Shëngjergjit (6 Maj, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut);”Tri të merkurat që nuk punohej (Maj) ;Ditë e Jeremisë (14 Maj); Ditë e Shënkollit (22 Maj); Ditë e I’shilbutit (I shëlbuesi, e enjtja pas Shënkollit, Maj); “Korolana” (Kërshmët )- ose Darka e Lamës (korrje shirjet, korrik – gusht); “Mesi i Verës” (Gusht); Ditë e Kërstovit (12 shtator); “Shëmitri” (9 nëntor); Bajrami i madh; Bajrami i vogël, muaji i Ramazanit.
Opoja është një trevë shqiptare që bën pjesë në skajin jugor të Rrafshit të Dukagjinit, rreth 20 km larg nga Prizreni. Nga pjesa lindore përmes Bjeshkëve të Sharrit kufizohet me Tetovën (Maqedoninë) ndërsa nga perëndimi Mali i Koritnikut e kufizon me Kukësin (Shqipërinë).
Themelet e fortifikatës ilire, monedhat bizantine, civilizimi i lashtë/Sot në fushën e Plavës, të varrezat e Bojaxhinjve në Llopushnik ekzistojnë themelet rrënuara të fortifikatës ilire, të cilat duken qartë. Fatkeqësisht aty ende s’ka prekur dora e arkeologut. Fortifikata është e regjistruar në Hartën Arkeologjike të Kosovës. Në mesjetë aty ishte e vendosur kazerma e ushtrisë turke deri më 1912. Kështu dëshmon kujtesa historike e banorëve të Plavës. Themele të lashta ilire vërehen edhe në vendin e quajtur Gabuja në Brrut (Opojë) dhe në Zgatar, të cilat komunikojnë me Kalanë e Prizrenit, për shkak të pozitës gjeografike. Në Opojë nga vetë banorët janë gjetur shumë gjurmë të lashtësisë. Në Bellobrad dhe Brrut (Opojë) janë gjetur monedha bizantine të shekullit XII, që dëshmojnë civilizimin dhe tregtinë se në atë kohë bëhej me monedha. Rrënojat e themeleve të kishave shqiptare shihen dhe sot, ose ende ruhet toponimi “Të Kisha” sikurse në: Xërxë - “Të Kisha”; Pllajnik – “Të kishëza”; Kosavë - “Të kisha”; Zgatar – gjurmët e kishës janë “Të Guri Gjermonit”; Zapluxhë – “Të Kisha”(afër vendit “Guri Rrushit”); Brrut (gjurmët e kishës të vendi “Arat nërmjet Reke”), në Shajnë – “Livadhi Priftit” ose “Zabeli Kishës”; në Brezne - “Lugi i Kishës”; Kapre – “Kishat”; Xërxe - “Livadhi Priftit”; Brrut – “Guri Kalluxherit”; Blaç – “Gurra e Priftës” ose “Mëhalla Priftaj”, etj.
(Autori është kandidat për master në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›