E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente me fatalitet

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 12:00

Gjatë ditës së djeshme, në Kosovë kanë ndodhur dy aksidente të rënda, ku kanë gjetur vdekjen tre persona, përfshirë një foshnje njëditëshe, kurse janë lënduar 11 të tjerë.

Aksidenti i parë ka ndodhur në fshatin Sekiraqë të Podujevës, rreth orës 15.

Policia ka njoftuar se në aksident ishin të përfshira dy vetura, një e llojit “Mercedes” dhe tjetra VW Golf, të dyja me targa të Kosovës. Si pasojë e aksidentit, nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë një femër dhe foshnja e saj, e gjinisë femërore.

Sipas burimeve, gruaja po kthehej në shtëpi nga spitali ku kishte lindur foshnjën, e cila po ashtu mbeti e vdekur.

Policia ka njoftuar se në këtë aksident lëndime trupore kanë marre edhe gjashtë persona te tjerë.

“Me urdhër te prokurorit, trupat e pajetë te viktimave janë dërguar për obduksion, ndërsa i dyshuari, i lënduar, ndodhet ne tretman mjekësor, në përkujdesje policore”.

Po rreth orës 15, të dielën, ka ndodhur një fatkeqësi trafiku në fshatin Polac të Skenderajt.

Sipas policisë, ishin të përfshira një veturë Opel Zafira, me targa të huaja, që drejtohej nga një kosovar shqiptar dhe një veturë Opel Kadet, me targa vendore, që po ashtu drejtohej nga një kosovar/shqiptar.

Deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e vozitjes së pakujdesshme të veturës me targa të huaja. Vozitësi ka humbur kontrollin ndaj veturës dhe ka dalë në shiritin e kundërt të lëvizjes, ku është ndeshur me veturën me targa vendore.

Si pasojë e aksidentit 5 meshkuj dhe një femër kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Njëri nga ta, ka ndërruar jetë, nga lëndimet e marra, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë iu është liruar familjarëve për ceremoninë mortore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›