LDK: Qeveria, pa një adresë të politikës së jashtme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç thuhet konfuzionin total që ka krijuar në fushën e politikës së jashtme, me përplasje kompetencash dhe interesash brenda vetë asaj, po e dëmton seriozisht imazhin e Kosovës dhe procesin jetik të njohjeve.
“Kosova nuk e ka një adresë të politikës së jashtme, meqë në atë fushë ndërhyjnë pandërprerë kryeministri, një zëvendës/kryeministër, ministri i Jashtëm, ministrja e Integrimeve, pa harruar kompetencat që ka presidentja në këtë plan”, thuhet në një deklaratë për media.
LDK konsideron se Qeveria e Kosovës nuk po tregohet serioze në procesin e lobimit për shtimin e njohjeve dhe sipas saj, sjellja ndaj procesit të njohjes së Kosovës, si ndaj një çështjeje private dhe në terma privatë, gjithë procesin e ka shndërruar në një garë të pakuptimtë, ku secili do të marrë meritat që nuk i takojnë.
“Vetëm gjatë javës së fundit, për shkak të mungesës së koordinimit dhe për shkak të përplasjeve të brendshme, Qeveria nuk ka arritur të sqarojë as se kush e ka njohur Kosovën e kush jo. LDK vlerëson se jo serioziteti i thellë dhe konfuzioni që ka krijuar Qeveria në këtë plan, e dëmtojnë seriozisht imazhin e Kosovës dhe vetë procesin e njohjes”, thuhet më tej në deklaratë.
LDK kërkon përgjegjshmëri në politikën e jashtme dhe koordinim të mirëfilltë ndërmjet institucioneve të vendit dhe vendeve mike, përkrahëse të pavarësisë së Kosovës, si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vende të tjera të BE-së e më gjerë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe në këtë rast, vlerëson dhe shpreh mirënjohjen e saj për punën e madhe që kanë bërë dhe që po bëjnë qeveritë e këtyre vendeve për të shtuar numrin e shteteve që kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.