E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Sejdiu jep dorëheqjen nga posti i Presidentit



Fatmir Sejdiu ka dhënë dje dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës. Gjatë një konference për media, Sejdiu njoftoi opinionin kosovar për dorëheqjen dhe se me këtë akt konfirmon që respekton vendimet e organeve të drejtësisë të vendit. Në një konferencë për media, Sejdiu iu drejtua qytetarëve të vendit dhe me këtë rast vlerësoi se tërë jetën e tij ka respektuar institucionet e Kosovës dhe është udhëhequr nga parimet etike.
Sejdiu theksoi se ende nuk i është dorëzuar aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo sipas tij akti i dorëheqjes vjen si rrjedhojë e respektimit të organeve të shtetit. “Gjithë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë. Për t’u dhënë me besim dhe devotshmëri pas këtij përcaktimi jetësor e profesional, gjithherë kam pasur udhërrëfyes dhe mbështetje të fuqishme traditën time familjare dhe të popullit tim, si dhe të miqve të Kosovës”, tha Sejdiu. Në këtë konferencë, Sejdiu vlerësoi se gjatë gjithë punës së tij është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për të ardhmen prosperuese të vendit. Në këtë rast, Gjykata me shumicë votash ka deklaruar “se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88 .2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin
e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’”. Gjykata Kushtetuese, të hënën përmes një njoftimi për media bëri të ditur se Aktgjykimin e plotë të arsyetuar në rastin KI 47/10 , “Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”, palëve në procedurë do t’ua dërgojë të martën, më 28 shtator 2010 dhe se i njëjti do të publikohet në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese. Fatmir Sejdiu për të dytën herë në postin e presidentit është zgjedhur në fillim të janarit 2008, me mandat pesëvjeçar. Sejdiu dha dorëheqje nga ky post, pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se presidenti e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e vendit. Sipas gjykatës Kushtetuese, ai ka mbajtur pa të drejtë dy poste: postin e presidentit të vendit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, konstatoi ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që, sipas saj, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik në vend. Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit mund të shkarkohet nga Kuvendi i Kosovës, me 2/3 e deputetëve të tij.
Neni 91 / 3
“Nëse presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ai/ajo ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”.
Neni 90 /1
“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ai/ajo mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to”.

28 Shtator 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›