E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK e shqetësuar nga rreziku i politizimit të institucioneve të pavarura

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për opinionin ka reaguar kundër zgjedhjes së militantëve ose zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet në pozita udhëheqëse të ndërmarrjeve publike të vendit.

Zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore, dhe më herët e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe parimet demokratike të qeverisjes, që këto institucione të mbesin të pavarura nga politika, thuhet në fillim të reagimit.
Të dy personat e zgjedhur në krye të këtyre institucioneve janë funksionarë të lartë të PDK-së. Vënia nën kontroll të drejtpërdrejt e këtyre institucioneve nga ana e PDK-së është e dëmshme për ekonominë dhe për demokracinë në Kosovë.

Është e papranueshme neglizhenca e deputetëve të PDK-së, të koalicionit qeverisës dhe të AAK ndaj këtyre zhvillimeve të dëmshme për ekonominë dhe demokracinë vendore, vazhdon komunikata.

Derisa të njëjtit deputetë kërkonin që anëtarët e bordit të ndërmarrjeve publike të mos kenë pasur funksione politike në tri vitet e fundit, ata tek rasti i Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe Kryetarit të Bordit të AKP-së nuk kërkuan një gjë e tillë, duke bërë kështu shkelje ligjore me vetëdije.

Ata deputetë që votuan pro këtyre emërimeve janë duke e keqpërdorur besimin e qytetarëve. Atë besim e kanë vënë në shërbim të Hashim Thaçit dhe grupeve të korruptuara të interesit brenda PDK-së.

Kryetari i Bordit të AKP-së ka nën menaxhim afër 700 milionë euro të mbledhura nga privatizimi dhe qindra miliona euro asete të ndërmarrjeve shoqërore që nuk janë privatizuar ende. Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore udhëheq me sistemin financiar të vendit.
Me këto zgjedhje politike është lëkundur besimi i investitorëve në sistemit financiar të vendit. Ndërsa, në rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, do të vazhdohet me falje të aseteve me nga 2 euro për ari të tokës bujqësore dhe kurdisje të privatizimeve ashtu siç ka ndodhur deri më tani.

LDK është kundër këtyre emërimeve. LDK e bën të qartë se sapo të vije në pushtet do të ndërmarrë reforma të thella, përfshirë shkarkimin e këtyre personave, për të siguruar që këto institucione ekonomike të pavarura të mbeten vërtet të pavarura, përfundon komunikata./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›