Mbi 75 mijë vetë varrosen në Haiti

Qeveria e Haitit thotë se trupat e të paktën 75 mijë vetëve janë varrosur në varreza masive pas tërmetit që goditi më shumë se një javë më parë.
Ajo thotë se numri total i të vdekurve natyrisht do të jetë ndoshta shumë më i lartë.
Punëtorët në një kodër në veri të kryeqytetit Port au Prince, kanë përdorur ekskavatorë për të hapur transhme ku të vdekurit janë hedhur pa ceremoni dhe pa identifikim.
Shumë trupa të tjerë mbeten nëpër rrugë. Kudo ndjehet një erë e rëndë.
Vazhdojnë ndihmat
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një personel shtesë ushtarak prej katër mijë vetësh më Haiti në përpjekje për t'iu ofruar ndihmë personave që ende nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë lloj ndihme.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se operacioni i ndihmës po vazhdonte pavarësisht nga pengesat për shkak të infrastrukturës së dëmtuar dhe problemeve të sigurisë.
Ambasadori amerikan në Haiti, Kenneth Merten, i tha BBC-së se shpërndarja e ndihmës po përmirësohej nga dita në ditë.
"Ne nuk shpërndamë ndihma vetëm ditën e parë pas tërmetit, sepse ende nuk kishin ardhur furnizime me ushqime, ujë apo medikamente mjekësore. Ne vepruan shpejt, hapëm aeroportin dhe u kujdesëm për mbarëvajtjen e ndihmës humanitare. Shpërndarja e ndihmës ka ardhur duke u bërë më e efektshme nga dita në ditë, megjithëse përballemi me kufizimet e mëdha të infrastrukturës së Haitit", tha zoti Merten. /bbc/