LDK, për fitore në Ferizaj

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, duke folur para elektoratit të LDK-së, ka thënë se kjo garë nuk është vetëm një garë për kryetar të kësaj komune, por është një garë e fillimit të fitoreve të LDK-së, të cilat, sipas tij, do të përmbyllen me zgjedhjet lokale dhe nacionale të vitit të ardhshëm, për te cilat ai beson se do t'i fitojë shumicën e komunave dhe to ta formojë qeverinë.
"Për neve kjo nuk është vetëm një garë për kryetar të komunës. Për neve kjo është garë për fitoren e Lidhjes Demokratike, për neve është kjo nisma e fitoreve, te cilat ne do t'i përmbyllim në vitin e ardhshëm ne zgjedhjet lokale dhe nacionale në Kosove, në të cilat do të fitojmë, në të cilat do ta formojmë qeverinë tonë dhe në të cilat do ta kemi shumicën e komunave", ka thënë ai para elektoratit.
Mustafa ka thënë se do ta përkrah Salihajn për të gjitha projektet që ai i ka premtuar para elektoratit të tij të kësaj komune.
Ndërsa, kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, Adem Salihaj, ka përsëritur premtimet e tij për të cilat zotohet se do t'i përmbush po sa ta marrë drejtimin e komunës.
"Ne do të angazhohemi për një administratë jo politike, efikase, të pa korruptuar, të përgjegjshme dhe transparente, për depolitizim të plotë të kompanive publike. Angazhohemi për menaxhim të mirë të buxhetit të komunës, pa keqpërdorime, pa hajni dhe korrupsion. Krijimi i sigurisë për biznese dhe investime, rregullimi i infrastrukturës dhe krijimi i kushteve të reja për zhvillim ekonomik, si dhe krijimi i zonave të reja ekonomike", ka thënë ai.
Ai ka shtuar se do të kujdeset për rregullimin e planit urbanistik, planifikimin e lagjeve të reja të qytetit, zgjidhjen e problemit të hekurudhës, e cila, sipas Salihajt, është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të komunës, rregullimin e sheshit. Ai, po ashtu, ka thënë se do t'i kushtohet rëndësi e veçante edhe kategorive të veteranëve të UÇK-së, personave të hendikepuar si dhe do t'i kushtoje rëndësi edhe rinisë, duke krijuar hapësirë sa më të madhe për ta, duke ndërtuar palestra sportive, etj. Salihaj ka premtuar se do te angazhohet që ta ndërtojë edhe Spitalin Rajonal të Ferizajt. /kosovapress/