E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK s’ka lidhje me gjeografi

(E plotësuar) I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ibrahim Gashit, pas deklaratës së Lidhjes Demokratike të Kosovës se Zëvendësministri i Jashtëm po përmend emra shtetesh që nuk ekzistojnë.

Sipas kësaj partie, Gashi ka thënë se de fakto Kosova është njohur nga San Tomeo, një shtet ky që nuk ekziston. Duket se Gashi “San Tomeo” e ka quajtur shtetin Sao Tome and Principe, një vend ky për të cilin është thënë se e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

"Kosova së shpejti do të njihet nga Sao Tome dhe Principe. Do të ishte mirë sikur, kjo njohje do të vinte në kohën kur LDK drejtonte Ministrinë e Jashtme, por fatkeqësisht janë njerëzit e LDK'së që nuk e dinin dhe si duket ende nuk e dinë që ekziston ky shtet”, ka thënë Gashi, përmes një reagimi dërguar Gazetës Express.

Sao Tome dhe Principe është pavarësuar më 12 qershor 1975, derisa anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara është bërë me datën 16 shtator 1975.

“Është mirë që LDK të jap ndonjë kontribut sa është në opozitë në procesin e njohjeve, ashtu siç kemi bërë ne kur kemi qenë në opozitë", thotë Gashi në deklaratën e tij.

Ibrahim, s’ka shtet me emrin San Tomeo

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, ka thënë se Kosova shumë shpejt do të njihet nga shteti i San Tomeo’s.

Sipas kësaj partie, ky shtet nuk ekziston.

“Gjatë debatit në emisionin “10 minuta” të RTK’së të datës 23 janar 2012, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Ibrahim Gashi, disa herë i referohej njohjes sipas tij “de facto” nga shteti San Tomeo. Është joserioze që udhëheqës të lartë të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës të mos kenë as njohuri bazike për punën të cilën ata e bëjnë, përfshirë emrat e shteteve të cilat e kanë apo nuk e kanë njohur Kosovën. San Tomeo nuk ekziston si shtet dhe as si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, është e pamundur që Kosova të njihet nga një shtet joekzistent”, thuhet në komunikatën e LDK’së.

“Ne i bëjmë thirrje edhe një herë MPJ-së dhe Qeverisë që t’i ndalë gafet diplomatike dhe publikimin e emrave të shteteve që kanë dhënë sinjale pozitive për njohje. Praktika ka dëshmuar se çdoherë kur janë publikuar emrat e shteteve që kanë synuar njohjen e Kosovës së shpejti, kjo ka ndikuar në mobilizimin e menjëhershëm të diplomacisë serbe dhe të miqve të saj për ta parandaluar atë njohje. Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i respektojë ligjet e aplikueshme për emërimin e ambasadorëve të rinj, si dhe t’i respektojë praktikat diplomatike për këtë proces. Kjo sjellje e Qeverisë e dëmton rëndë interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, vazhdon komunikata.

Sipas gjitha gjasave, Zëvendësministri Ibrahim Gashi, “San Tomeo” e ka quajtur shtetin Sao Tome and Principe, një vend ky për të cilin është thënë se e ka njohur pavarësinë e Kosovës gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar. Por, njohja nga ky shtet nuk është konfirmuar ende.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›