E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK vlerëson zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses

Prishtinë -Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mirëpret vizitën e nënpresidentit amerikan Xho Bajden në Kosovë, duke e vlerësuar si një vizitë me atribute historike, në kontekstin e afirmimit të mbështetjes dhe përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, vizitë kjo e cila do të jetë edhe kontribut i zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Këto komente i bëri sot në konferencën për shtyp sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe zv/kryeministri i Kosovës Ramë Manaj. Gjithashtu ai tha se LDK se përshëndet procesin e sotëm të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke vlerësuar këtë si konsolidim dhe fuqizim të institucioneve të rëndësisë së lartë shtetërore.

"Mendoj se kjo i kontribuon fuqizimit të institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës. Dje ka përfunduar edhe emërimi i udhëheqësit të Komisionit Qendror Zgjedhor që e ka bërë Presidenti i Kosovës", tha Manaj. Ai shprehu bindjen që së shpejti Parlamenti i Kosovës të përmbyllë edhe procesin e votimit të Ombudspersonit, për të cilin tha se është vonuar, por megjithatë kjo tregon se po konsolidohet ndërtimi i institucioneve për të ushtruar funksionet e tyre kushtetuese, ligjore, të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për proceset që zhvillohen.

LDK mirëpret fillimin e shpejtë të konsultave të Presidentit të vendit me përfaqësues të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin lokal, tha Manaj. Sipas tij, në këtë proces nuk ka vonesa, sepse në bazë të ligjit për zgjedhjet Presidenti i vendit i fillon konsultimet dhe cakton datën jo më vonë se katër muaj para zgjedhjeve, dhe jo më herët se gjashtë muaj përpara "Ne presim që së shpejti të fillojnë këto konsulta dhe së shpejti të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve që definitivisht duhet dhe priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti", nënvizoi Manaj.

Në interesimin e gazetarëve se me cilët kandidatë do të dalë LDK në zgjedhjet në kryeqytet, Manaj tha se partia ende nuk ka vendosur për këtë çështje dhe se është para fillimit të këtij procesi, jo vetëm për Prishtinën, por për të gjitha komunat e Kosovës. Posa të caktohet data e zgjedhjeve menjëherë do të nisin përgatitjet në kuptimin teknik dhe organizativ për këtë proces të rëndësishëm, tha Manaj.

Manaj tha se pret që procesi i sivjemë zgjedhor të jetë më i përgatitur dhe më i organizuar dhe se LDK ka potenciale të mira e të mjaftueshme dhe se do të orientohet me njerëz me eksperiencë profesionale, përkushtim, përgatitje dhe kredibilitet për të fituar votën e qytetarëve.

LDK nuk frikësohet se mund ta humbë Prishtinën pas kandidimit të Behxhet Pacollit, dhe se të gjithë kandidatët do të vlerësohen si konkurrentë. "Ne nuk i frikësohemi z. Pacolli dhe asnjë kandidati tjetër për Prishtinën", theksoi Manaj. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›