E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, nesër ankohet në Kushtetuese



Partia Socialiste do të ankimojë nesër ligjin për dosjet në Gjykatën Kushtetuese. Burime nga kjo parti bënë të ditur se materiali që është përgatitur nga ekspertët juridike të saj bazohet në dy pika. Të njëjtat burime saktësuan se socialistët do ta bazojnë animimin e tyre tek mënyra e funksionimit të strukturës që do të ngrihet për të bërë verifikimet e figurave dhe së dyti, tek mënyra se si bëhet largimi i figurave nga posti që mbajnë nëse rezultojnë me dosje. Socialistët kanë zgjedhur pikërisht datën 30 janar për të bërë ankimin pasi në këtë datë ligji hyn në fuqi zyrtarisht. Mbetet ende në diskutim nëse Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të marrë në shqyrtim ligjin në fjalë, pasi ligji parashikon që në sitën e verifikimit të përfshihen edhe vetë anëtarët e kësaj gjykate.

Rama: Qeveria të reagojë për “dosjet”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje pas deklaratës së BE-së për ligjin e dosjeve. Në një komunikim për mediat, Rama tha se ajo është një deklaratë që ndryshe mund të përkthehet se “Shqipëria nuk bëhet dot Evropë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Evropian nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi”. Sipas tij, miratimi i një ligji dosjesh me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës evropiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Evropian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Evropian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm. “Përkthimi im për Kryeministrin që nuk e kupton gjuhën e Evropës, është që ta marrë këtë sinjal me seriozitetin më të madh dhe të kuptojë se kur kanë mbetur edhe 151 ditë nga mandati që ka marrë për të afruar Shqipërinë me Evropën, Sali Berisha s'mund ta zvarrisë edhe më shumë nga sa e ka zvarritur rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, - deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›